Kuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën e komunistët. Një cikël tjetër letërkëmbimi të Krujës është ai me ish sekretarin e Bajram Currit, të vetmin zë nga Kosova, Tahir Zajmin




Letërkëmbimi midis Krujës dhe ish sekretarit të Bajram Currit, Tahir Zajmit i vetmi përfaqësues i Kosovës, përmban ndër faktet me të rëndësishme për historinë e dy vendeve. Nga njëra anë mësojmë mbi zhvillimet politike në Kosovë, ndërsa Shqipëria po përparonte drejt izolimit të thellë, nga ana tjetër shihet një bashkëveprim gjuhësor e shkencor, ndër përpjekjet e forta për të ruajtur etninë natyrale shqiptare. Këmbimi i librave, debatet për gjuhën sidomos ajo midis Rizës dhe Krujës mund të konsiderohen ndër themeloret, po ashtu dhe momenti i përkthimit nga Camaj në gegnisht të fjalorit të Kristoforidhit etj ngjajnë me “luftën” e fortë të emigracionit shqiptar për të ruajtur përkundër mohimit traditën si letrare ashtu dhe gjuhësore, pra rasti i gegnishtes.

AdPlatformZone = {id: "549fcab82",format: "410x0"};


Por në këtë letër, që botojmë më poshtë, përfshihet një nga ngjarje që shton në histori faktet si ajo e refuzimit të perëndimit për të përfshirë në Komitetin për çlirimin e Shqipërisë njerëz nga grupi irredentist të Kosovës.




Lindur në Gjakovë, Zajmi më 1918 u hodh në Shqipëri, ku jetoi në Kukës, Krumë e Shkodër. I u bashkua Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, me Hoxhë Kadriun, Salih Gjukën etj. Pak kohë në ministrinë e financave me ministrin Gurakuqi, në Qeverinë Noli. Në vitin 1941 angazhohet kokë e këmbë në projektin e Shqipërisë etnike dhe bëhet një nga drejtuesit kryesorë të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, që synonte të ruante bashkimin me Shqipërinë, duke luftuar edhe me armë kundra çetnikëve apo partizanëve jugosllavë. Në lidhje me këtë periudhë dhe ato ngjarje, në vitin 1964, botoi në Bruksel veprën “Lidhja e dytë e Prizrenit dhe lufta heroike e popullit për mbrojtjen e Kosovës”.




Këto letra bëjnë pjesë në vëllimin e tretë, ku letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën e komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit nga “OMSCA-1”, nis ciklin e publikimit të disa letrave të rralla, me personalitete të politikës e të kulturës. Edhe pse letërkëmbim, ajo që çmohet në to është sqima e dijes, sikur këta të ishin artikuj të publikuar për lexues, e jo mes vetes. Ndoshta kjo ishte një projekt-perspektivë e Krujës, gjë që ia impononte çdo letërkëmbyesi, si në këtë rast, duke na dhënë një shkollë të mendimit.




***




Manisa, 16.III.1954




Fort i dashuni mik,




Prej letrës s’Zot. Juej u gëzova shum qi ishit shëndosh’e mirë dhe qi t’gjitha letrat i marrkeni në rregull. U – gëzova gjithashtu edhe për punën qi paska bâ Martin Camaj për të cilin më shkruejshit se ka përkëthye tfillimet grekishte të fjalorit të Kristoforidhit dhe prej gegnishtës së tij të pastër qi kam pasë rasën m’e konstatue nepërmjet revistës “Jeta e Re” më mbushet mendja s’edhe Zot. Juej nuk do t’a keni të vështirë bashkpunimin me tê për t’a shpejtue daljen në dritë të kësaj vepre.




Tue qênë se fjalori i punuem prej Zot.Juej në rrethânat e tâshme nuk mund të botohet e çmoni edhe vet se sa nevojë urgjente ka Kosova për nji fjaluer shqip e vepra të tjera qi kan të bajnë me teknikën e gjuhës. Se mue nuk m’a mbushë kurrsesi menden fjalori shqip-serbo-kroatisht qi tash shpejtë ka botue Sokol Dobroshi mund t’a përmbushë kët nevojë urgjente, mbassi e njof mirë se sa mund të pêshojë kompetenca e tij në lâmë të gjuhës shqipe. Pra uroj qi vepra e Camajt, e ripunueme dh’e përsosunueme prej Zot.Juej, të dalë në dritë sa mâ shpejtë q’asht e mundun!




Prej letravet qi marr si edhe prej shkrimeve të rivistës “Jeta e Ré” shof se arsimi në Kosovë, nonse me disa të meta qi do të muejshin m’u evitue, ka marrë nji hov mjaft të kënaqshëm.




Do të dishrojshëm shum qi për derisa t’a filloni punën e propozueme prej Martin Camajt të shkruejshit dishka për Jeten e Ré qi kishte me shërbye si çels ase udhëzimi thêmeltarë për çâshtjen e gjuhës pergjithësisht dhe për gegnishten veçanisht.




Tash po Ju nap nji lajm të mirë të cilin mundet qi nuk e keni ndëgjue e ky asht formimi i Institutit të Albanologjisë në Prishtinë. Qe! Edhe nji tjetër: nji refugjat shqiptar qi tash vônë ka kalue prej Jugosllavije n’Austri nep kët lajm me rândësi vitale: në rregjistrimin e popullsivet Jugosllave qi âsht bá në Prillë të vjetit 1953, popullsija shqiptare në Kosovë, Metohi e Makedonî ka resultue nji miljon e shtatëqind mij frymë. Shkruesi i letrës qi âsht nji malsuer prej qarkut të Shkodris shton se autoritet serbo-malezeze, të cilët e mbajnë shum sekret kët fakt me randësi, janë shqetsue shum prej këtij numri të statistikës së fundit.




Për sa i përket vajtjes s’ime n’Itali qi Ju pata shkrue në letrën tjetër m’patën lajmërue se më kishin zgjedhë si antar në Komitetin e përgjithshëm të K.K. Shqipnija e lirë, të riorganizuem dhe sadoqi çfaqa disa arsyena familjare – qi të mos i rrezikoj fëmijt në Shqipni – shokët insistuen qi të mos refuzoj.




Mandej më lajmeruen qi tue mbajtë cilsin e antarit të K. Përgjithshëm ata të Romës e paskan pâ me udhë qi prap të mbetem si përfaqësues i K.K.Shqipnija e lirë në Turki.




E drejta edhe kët të dytën – sa do qi deri më sod s’kam ndonji kumtim zyrtarë – nuk m’a pat ânda për arsyen e thjeshtë qi në kët vênd ndodhen disa prej t’anvet të cilët si për kah mosha ashtu edhe për kah pozita e tyne shoqnore janë mâ burra të mirë dhe mâ të meritueshëm.




Para se me përfundue letren dishroj me Ju bâ nji pyetje: në letren e Juej të fundit, tue folë për udhtimin eventual për n’Amerikë, thoni tekstualisht kështu: “edhe un po gjindem sod për sod pezull, as në qiell, as në tokë” dhe mue me’j herë më vojt mendja tek letrat qi nën kët titull keni pas ndrrue me të ndjemin Don Lazer Shantoja dhe botue n’atë kohë në nji fletore shqipe. Me gjithse nuk asht aktuale un vetëm e vetëm tue mêndue vleftën letrare e artistike t’atyne shkrimevet po guxoj me Ju pyet: a jeton gjatë apo jo ajo korespondencë e harrueme, pêmë dishprimit qi me gjithse e tillë ruen në vetvedi margaritar të çmueshëm qi kurrsesi nuk duhet të treten?




Me shum shëndet e dashuni,




Jueji Tahiri




Izmir, 29.VIII.1954




I dashuni Z. Mustafa,




Të marrmen letrën e Zot. Juej Ju a kam nisë me postë të thjeshtë të përkohëshmen “Jeta e Re” dhe do t’u përgjeshëm me njiherë po të mos ndërhyente nji pun’e imja mjaft me telâshe qi tash dy javë nuk më ka dhanë njiherë pushim ase rast m’u ulë për s’rrâfshi.




Edhe përparandej nuk e kam lânë pa Ju shkrue dy rreshta pse kam pritue ase pse më mungonte dishiri e kujdesi, por vetëm tue mendue se ndoshta për shkakun e njaj çâshtjeje qi madje u bâ edhe e buejshme në shtypin e huej letrat shqipe (letrat e mija) mund t’ishin të padëshrueme pata parapëlqye qi shtegun për ndrrim letrash t’a hapni vet Zot. Juej. Bile n’kto kohnat e fundit më kje shtue mjaft kujdesi prejse edhe shokët t’anë Qazim Nekiu e Tahir Kolgjini nuk kishin pasë asnji lajm prej Zot. Juej dhe ndërsa po mêndojshëm me Ju shkrue nji letër në gjuhë turke ase frenge mê mbërrini ajo e Jueja kaqë shum e pritun e e dishrueme prej meje.




E shka tjetër në kët mërgim fatkeq na ka mbetë përveç këtyne letravet qi po na napin ka’j herë rastin m’u shmallë me sho-shojnë dhe me shfrye mllefin e zi qi po na brén tash dhetë vjet e këndej?




E sidomos letrat e Zot. Juej qi janë nji ushqim mendjeje e shpirti…




Tash po kalojmë në problemën e gjuhës për krahinat e Kosovës: do të dishrojshëm shum qi Zot. Juej të shkrueni nji seri artikujsh mbi problemet gjuhsore për “Jetën e Ré” artikuj të cilët patjetër mund të sjellin nji kontribut të dobishëm në kët lamë. Un nuk jam aspak i mendimit që Kosova – për shka i përket parimevet dhe ditunis gjuhsore – âsht pron e veçant e Prof. Rizës ase e ndonji tjetri. Përkundrazi gjuha âsht pasunija kombtare e çdo populli dhe jo monopoli i njanit ase i tjetrit. Mandej edhe sikur të filloj nji polemikë midis Jush dhe Prof. Rizës nuk besoj qi kjo të të kaloj megjet e shkencës për me degjenerue në politikë.




Me gjith kët un do të përpiqem me hye në korespondencë me Selman Rizën të cilin deri diku e kam t’emin.




Për sa i përket numrit të popullsis s’Kosovës – si rezultat i rregjistrimit Jugosllav në vj. 1953 – qi Zot. Juej e, deri diku, edhe un e gjej me të tepruem duhet të mos harrojmë se ky numër në kohë të shlirimit të Kosovës (941-944) kapej në 740 mij frymë papërfshi qarkun e Mitrovicës (me rrethet e sajë: Vuçiteru, Podjevë, Drenicë e Jenipazar me nji popullsi prej 260 mij frymësh, siedhe Shkupin me Kaçanik, Kumanov’e Preshovë e viset tjera makedone si Monastir, Ohër, Përlepe, Qypryli etj. qi tue hjekë pakicat serbe e bullgare deri me 25 – 30% numri i sakt i shqiptarvet prap nuk kishte me ra nën shifrën e nji miljoni e 200-300 mij frymvet. Të paktën mue kështu më pëlqeu me besue, pa u largue fort prej realitetit.




Të vijmë tani te puna e zgjedhjes ase e të shenjuemit t’im në Këshillin e Përgjithshëm të Komitetit Kombtar Shqipnija e lirë: Qysh në fillim të k.v. më patën shkrue nja dy shokë prej Rome se mbas riorganizimit të Komitetit K.Sh e lirë, n’êmën të Blokut Kombtar Indipendent Z. Ismail Verlaci kishte pas propozue qi në gji të Komitetit të merrej edhe nji perfaqsi e grupit irredentist të Kosovës por, tue mos qënë i përkrahun prej kurrkujt tjetër, ky propozim – për shkak të relatave të Pushtetevet Perëndimore me Jugosllavín – kishte pas qenë refuzue. E përpara pamundësis me marrë në Komitet nji grup kosovarësh dhe gjoja për me u – dhanë ktyne nji far satisfaksioni ata t’ekzekutivit – kishin pas pranue zgjedhjen t’ime qi kështu me cilsin e antarit të Këshillit të Pergjithshëm të perfaqësoj Komitetin K. Sh. e lirë pranë bashkatdhetarve t’anë në Turki.




Por me të ndëgjuem kët zgjedhje ase emnin t’imin disa prej t’anvet qi janë të vendosun n’Istambul dhe të cilët pretendojnë me qënë Prisa e Bajraktar në çdo punë Shqiptare kan fillue me njiherë jo vetëm me pengue shërbimin t’im modest në dobi të shokve por edhe me më luftue si person tue thanë se nuk jam i aftë e i dêjë për kët râng të cilin, me thanë të vertetën, as nuk e kam kërkue as jam tue dishrue edhe qi t’a mbajë.




Për mos me Ju mërzitë mâ tepër kët herë po e mbyllë me kaqë tue Ju urue shëndet dhe gjithë të mirat qi dishroni.




Po Ju njoftoj me kët rast edhe se në kto ditë jam bajtë prej Maniset këtu n’Izmir ku po perpiqem me hapë nji punë qi n’Manisë e kam praktikue gjashtë muej dhe nuk kam pasë sukses.




Z. Z. Dervish Prishtina dhe i vllai Hysejni Ju dërgojnë shum të fala.




Juaji:




Tahir Zaimi




Drejtimi i êm i ri : Zahireci DerviÅŸ PriÅŸtina, eliyle Gazilar caddesi N. 492 Izmir




Tahir Zaimi-ye.




Izmir, 30.IX.1954




I dashuni Z. Mustafa,




Kam përpara letrën e Zot. Juej q’e kam marrë para nji jave, letër me të cilën më kërkoni nji përshkrim mbi kryengritjen e Kosovës në 1912.




Mjerisht nuk jam kurrsesi në gjendje t’Ju a plotsoj kët dishirë fisnike qi âsht edhe në dobin e vendit t’im: më mungojnë kryekput edhe ato pak shënime qi kam pasë për atê Kryengritje e disa ngjarje me rândësi historike e lëvizje të tjera, pse të shpërdame me libra e plaçka të ndryeshme qi kam lanë në Shqipni, n’Itali dhe n’Stamboll.




Po ene historin e Süleyman Külçë-s mbi Shqipnië qi m’a rekomandoni Zot. Juej ênde nuk e kam gjetë sadoqi Husejn Prishtina dhe nja dy shokë të tjerë më janë zotue me m’a gjetë patjetër. Pra nuk dij se ç’them edhe për rolin qi ky auktor i mveshka Riza Beut.




Un vetëm kaq dij, simbas ndëgjimevet qi kam muejtë me pasë prej të tjerësh, se Riza Beg Kryeziu, Isa Boletini e Haxhi Xhemal Agushi kan qênë, që të tre, shkaktarët kryesorë qi kan bâ me dështue kryengritja në fjalë e cila – sikur mos t’ishte qênë roli fatkeq i këtyne tre xhahilave të ndihmuem edhe nga intrigat e fqijvet t’anë sllav – ndoshta do t’ishte kunorëzue me sukses tue shpallë ç’atëherë pamvarrësin e Shqipnis.




Zot. Juej keni qênë edhe vet personalisht n’ato mbledhje dhe mund t’i njifni ngjarjet e njerzit e asaj kohe mâ mirë se të tjerët.




Mbi kët thêmë e pergjithësisht mbi zhvillimin dhe dështimin e kryengritjes s’Kosovës kam pas shkrue diçka edhe un siedhe disa bashkpuntorë të tjerë intelektual n’organin e “Lidhjes II të Prizrenit” gjatë vjetit 1944, por mjerisht edhe koleksjoni i kësaj fletore, për pakujdesin ase fajin e nji shoku, nuk më ndodhet afër.




Në qoftë, por, se mund të shtij në dorë shpejt’e shpejtë ndonjë element rreth kësaj pjese t’historis s’Kosovës kam me Ju a transmetue pa vonesë.




Sa për shpërndamjen e Abetarit të të mërguemit qi më pyetni Ju njoftoj se pjesërisht âsht shpërda e pritë me interesim e kënaqsi (sa qi ka ndollë me pa edhe njerëz tue qâjtë kur Z. Husejn Prishtina i ka lexue nji shqiptari disa pjesë të librit e sidomos vjerrsha shqipe) kurse prej nji pjese tjetër, a mâ mirë me thânë prej nji pakice njerzish, me indiferencë.




Edhe pse Zot. Juej nuk interesoheni për pjesën materjale të librit jam i autorizuem prej Z. H. Prishtinës me Ju lajmerue se 500 lira turke ndodhen te Zotni e tij, të gaçme me Ju a nisë n’atë kohë dhe n’atë mënyrë qi Zot. Juej keni me ia kërkue.




Me shpresë se për çâshtjen e bashkpunimit T’uej me “Jetën e re” kam me e vijue kët letër me nji tjetër dhe tue Ju urue shëndet e punë të mira po e mbyllë me kaqë.




Me shum të fala.




Jueji: Tahiri




/Standard