Asnjëherë nuk është e mundur që të përcaktohen kufijtë definitive të dimensionit të dhe rrezes së veprimit të punonjësit social në jetën e shoqërisë. Në gamën e “profesioneve të hapura” ai është nga veta natyra profesion në shtrirje, në agresion për të shtrirë ndikimin e vet social në zona dhe territore të reja, në të cilat, me sa duket, ndikimi i tij është dhe do të bëhet akoma më i pazëvendësueshëm. Kjo çështje, domethënë detyrimi social i konceptimit, sa më i zgjeruar i hapësirës profesionale, në të cilat koha e ka sjellë që me patjetër duhet të dominojë “pozicioni” i punonjësit social, duhet të spikatë “roli” i veçantë profesional i tij, është tashmë një çështje e ditës që as mund të neglizhohet, por as mund të shtyhet për më tej.
Çështja e përcaktimit të pozitës së punonjësit social në shoqërinë shqiptare, në përputhje me rolin dhe misionin e tij profesional, është një debat që asnjëherë nuk ka qenë i mbyllur në shoqërinë tonë. Të paktën që nga koha kur për herë të parë në Shqipëri u hap Fakulteti specifik i Punës Sociale. Por, besoj se tani pas një kohe relativisht të gjatë, kur paralelisht në shoqërinë shqiptare me intensitet të veçantë po ecin paralelisht shtimi i gamës së problemeve të mprehta sociale dhe rritja e numrit të studentëve që marrin këtë profesion, përmes studimeve permanente dhe të thelluara në nivele pasuniversitare, besoj se përbën momentin e duhur kur ne duhet të rihapim mbi një platformë të re, debatin qoftë në nivel konceptual, por dhe vështrimin politik, shtetëror, kulturor dhe profesional, për një rishikim të zgjeruar të politikave të trajtimit të vlerës dhe dobisë sociale që ka shoqëria dhe qytetërimi ynë, për të rregulluar disa handikape që vijnë nga shikimi semplist i rolit të punonjësit social, sidomos në sferat e gjëra në të cilat roli i tyre është unik dhe fuqia profesionale e papërballueshme nga asnjë koncept frenues apo thjeshtësues.
Unë besoj se çështja e ridimensionimit të vlerës sociale, vendosja e merituar e punonjësit social në rolin e duhur profesional, nuk është vetëm çështje teorike që lidhet me sedrën dhe ambicien tonë akademike për ta vleftësuar “produktin cilësor” që nxjerrim nga Fakulteti i Shkencave Sociale, por së pari ky duhet konsideruar si një problem urgjent dhe çështje utiliteti social, që është në të njëjtën kohë problem sensitiv për t’iu përgjigjur sfidave të shumta që janë shfaqur në realitetin social të shoqërisë sonë moderne. Në këtë kontekst, të japësh kontribut në debatin, se cili është dhe si duhet të jenë raportet e “pozicionit” human, cili është dhe cili duhet të jetë roli i ridimensionuar që duhet të luajë punonjësi social, jo vetëm në praktikën empirike të shërbimeve polivalente me natyrë sociale, por dhe në problematikën e gjerë të shoqërisë, doemos që nuk është gjë e lehtë.
Zgjidhja e drejtë e këtij problemi në shoqërinë tonë kërkon angazhime të reja. Në radhë të parë nga ne profesionistët e shkencave sociale, për të zgjeruar optikën e shikimit dhe masën e vlerësimit ndryshe të pozicionit dhe rolit të punonjësit social në shoqërinë tonë, për të rregulluar ca standarde që kanë filluar të “fozilizojnë” konceptin dhe të dëmtojnë vlerën e një produkti të tillë profesional, kaq të duhur dhe të vlerësuar ndryshe në botë. Në këtë kontekst, “beteja” jonë e dytë, pas përfundimit të fazës ekstensive të përgatitjes së punonjësve social në universitetet tona, është betejë cilësore, për të zgjeruar konceptin e shoqërisë, për të kuptuar domosdonë e pranisë së tyre kudo ku ka njerëz, ku dinamizohet shoqëria dhe prodhohen probleme që kërkojnë trajtim, interpretim dhe zgjidhje sociale të dobishme për përmirësimin e jetës së individit, grupeve sociale apo të shoqërisë në tërësi.
Në çdo profesion, sidomos në profesionet me natyrë të drejtpërdrejtë sociale ka gjithnjë diçka për të ripërcaktuar në përputhje me kërkesat e ndryshuara të kohës dhe “presioneve të natyrshme” të shoqërisë, që bëhet determinuese në raportin midis individit si “bartës i profesionit” dhe kërkesës së shoqërisë që ky profesion të shfaqet së pari dhe mbi të gjitha si “mision social”, si plotësim i kërkesave dhe pritshmërive që ka vetë shoqëria. Asnjë profesion, sado i bukur të duket në pamje të parë, nuk mund të jetë as qëllim i kulluar individual në vetvete, në se nuk i duhet ose që nuk vihet në shërbim të shoqërisë. Në këtë kontekst, kërkesa jonë për një ridimensionim të rolit dhe misionit të punonjësit social, qëndron pikërisht në harmoninë e kërkuar dhe të pretenduar kohët e fundit në mënyrë eksplicite nga shoqëria, që të forcohet lidhja organike reciproke midis nevojave që ka shoqëria dhe sfera e zgjeruar për shërbim social e njerëzve në nevojë me ngritjen e pandaluar të autoritetit social të punonjësit social, në mënyrë që tek ai të përputhet “sjellja profesionale”, “qëndrimi moral” me “pritmërinë sociale”. Kjo përputhje e natyrshme dhe e domosdoshme e “pozicionit” me “rolin” është kërkesë themelore dhe kusht që garanton “integritetin profesional” të punonjësit social.
Në shoqëri ka gjithnjë disa kërkesa që shfaqen më imperative për disa profesione bazale me natyrë sociale, utiliteti i të cilëve është i vlerësuar dhe bëhet i pashmangshëm për mirëfunksionimin e saj. Në këtë kontekst, sipas mendimit tim profesioni i punonjësit social për shkak të rolit që ai luan, duket se nuk është në të njëjtën shkallë dhe i barabartë me vlerësimet lineare dhe profesionale që bëhen për profesionet e tjera. Përkundrazi, në kohën tonë ka shumë arsye sociale, që janë me natyrë imperative dhe që për këtë arsye e bëjnë ultimativ ridimensionimin e vlerësimit të “pozicionit” dhe “rolit” të punonjësit social, duke e bërë atë figurë me fleksibilitet të natyrshëm social, për të qenë në kompatibilitet social dhe profesional me kërkesat e shoqërisë. Sepse ky profesion për shkaqe që tashmë dihen, është në piramidën e profesioneve për të cilat shoqëria shqiptare gjithnjë e më shumë, sot dhe në të ardhmen për arsye që kuptohen do të ketë “nevojë të shtuar”. Sepse koha dhe problemet e shtuara të shoqërisë modern, kanë sjellë nevojën imperative që së pari ne profesionistët të kuptojmë jo vetëm shkaqet e brendshme ontologjike të zgjerimit të domosdoshëm të “kufijve të profesionit”, por dhe nevojat ekzistenciale të shoqërisë për rolin dhe misionin e veçantë të punonjësit social, për rezen e zgjeruar të shtrirjes dhe ndikimit social në jetën e trazuar të individëve, grupeve sociale dhe shoqërisë shqiptare në tërësi.
Ka shumë arsye që kërkesa për performancë profesionale dhe ndikim social të shtuar të punonjësit social, tashmë është në apogjeun e kërkesave ultimative që ka shoqëria jonë, sidomos për disa role e pozicione profesionale që kanë natyrë dhe karakter të drejtpërdrejtë humanitar. Në këtë pikëpamje, shoqëria bashkëkohore shqiptare është bërë më e qartë dhe nuk ka asnjë dilemë për rolin e veçantë të punonjësit social në hierarkinë e roleve dhe profesioneve me dobi sociale dhe leverdi individuale. Jetojmë në kushtet e shoqërisë moderne, në të cilën njeriu i lirë, i individualizuar, i margjinalizuar është përballë me shumë vështirësi, që janë të natyrshme dhe të panatyrshme. Jeta moderne është e mbushur me iluzione dhe deziluzione, me paqartësi e fobi, me sindroma e hipertrofi që vijnë nga vetë natyra e jetës, e cila shpesh për njeriun konkret vërtitet midis mërzisë dhe dëshpërimit, dhe që për këto arsye të integruara, sa sociale dhe personale po aq dhe impersonale madhore, ka nevojë për këshillë, mbështetje psiko-sociale, për qartësi, nxitje për integrim social dhe ndihmë për të garantuar integritetin psikomoral të individit dhe aftësitë e kompatibilitetit social. Me fjalë të tjera, ndoshta tashmë kur problemet e shoqërisë sonë janë bërë më të shumta, më të mprehta e më të komplikuara, roli dhe misioni i punonjësit social si figurë adekuate ndikuese, orientuese dhe këshilluese është vërtetë zgjerim, në rivlerësim social dhe në presionin e natyrshëm të ekspansionit profesional.
Ndaj sot, më shumë se kurrë, është e dobishme në se do të fillojmë një “betejë kulturore” me shoqërinë, në mënyrë që të zgjerohet koncepti për vlerën profesionale, problemin e statusit dhe ndikimit social si “agjent shoqëror”, të rolit profesional të punonjësit social, duke e parë figurën e tij në mënyrë integrale, duke e vlerësuar në tërësi dhe veçanërisht në raport me nevojat dhe kërkesat e shoqërisë. Duke vlerësuar sasinë, cilësinë dhe intensitetin e problemeve të mprehta sociale me të cilat po ndeshet shoqëria jonë dhe veçanërisht me kërkesat e shumta të shërbimit social profesionist, për praninë e domosdoshme të një figure të tillë universale, me aftësi polivalente siç është punonjësi social, i cili po bëhet i kudondodhur dhe i kudogjendur në të gjithë strukturat e shërbimit social, në të gjithë tipologjitë e saj por dhe në të gjithë sferat e përbashkëta të jetës sociale dhe të organizimeve sociale të shoqërisë tonë.
Qëllimi dhe bindja ime profesionale për rolin e punonjësit social si figurë universale e shërbimit dhe si agjent i ndryshimeve sociale në shoqërinë tonë është e patundur. Përvoja personale e gjatë, por dhe njohja me praktikat më të mira të punës dhe shërbimit social, më kanë bindur se kudo punonjësi social, në dallim nga të gjithë figurat e tjera profesionale të pranishme, të dobishme dhe të përfshira në strukturat e shërbimit social, është shumë i rëndësishëm. Për nga natyra e “profesionit të hapur” dhe gjerësia e ndërhyrjeve, punonjësi social është njëherësh “agjent i madh” i ndryshimeve sociale dhe figurë omnipotente dhe më universale e shërbimit social”. Natyrisht, e kuptuar kjo jo në mënyrë sempliste e burokratike, por në mënyrën më të gjerë dhe më polivalentë të shërbimit, si veprimtari sociale e gjithanshme, e pranishme në të gjithë strukturat sociale funksionale të shoqërisë, në të gjithë format, strukturat dhe institucionet e organizimit të saj.
Në praktikën e punës sociale ka deformime të pozicionit, vlerës, misionit dhe rolit të punonjësit social, si rezultat i konfondimit të kërkesave ultimative të jetës dhe komponentëve të të pavlerësuar të profesionit të punonjësit social. Nuk mendoj se konfondimi është “problem terminologjik”, apo që vjen për shkak se ka ngatërresa të caktuara midis natyrës, misionit dhe funksionit të punonjësit social në raport me profesionet e tjera të afërta apo të ngjashme. Profesioni i punonjësit social nuk është privilegj i përveçëm, individual. Duke e parë nga vlerat dhe utiliteti social këtë profesion, duket se është koha që e ka bërë punonjësin social një profesion individualisht atraktiv dhe nga pikëpamja sociale me vlerë utilitare evidente.
Krahas dhe bashkë me të janë edhe profesione të tjera të ngjashme apo të ndryshme, pa të cilat nuk mund të realizohen së pari shumë sfida të modernizimit të shërbimit social si veprimtari komplekse. Zgjerimi konceptual i politikave sociale, shtimi i tipologjive të reja të shërbimit modern, decentralizimi i rrjetit të shërbimit dhe institucioneve sociale, vendosja e standardeve të shërbimit për të gjithë llojet e shërbimeve, kompozimi më modern i ekipeve multidisiplinare në institucionet e shërbimit social, krijimi i formave të reja të shërbimit komunitar, rritja e peshës dhe rolit intensiv të aktorëve të shoqërisë civile dhe tentativat për të krijuar shërbime të personalizuara në formën e kujdestarive nominale apo të shërbimit në familje, na detyron që jo vetëm ne ta shikojmë rolin dhe misionin e punonjësit social ndryshe, por të ndikojmë që edhe shoqëria, shteti, pushteti vendor dhe të gjithë faktorët e tjerë që kanë nevoja social eta shikojnë dhe vlerësojnë meritokratisht ndryshe rolin e punonjësit social.
Koha kërkon një përcaktim dhe ndarje më të qartë të asaj që është “kërkesë objektive” e natyrës së profesionit, që buron nga kërkesa e shoqërisë, dhe përfytyrimit që ka individi që ka zgjedhur të luajë një rol të tillë profesional, i cili më shumë se me përfytyrimet individuale të sakta apo të deformuara në ndonjë rast është në lidhje me kërkesat e jetës dhe në përputhje me kërkesat e shoqërisë. Kjo përputhje e domosdoshme e kërkesës sociale me përfytyrimin individual nuk është e lehtë. Ajo nuk bëhet pa keqkuptime, keqinterpretime dhe mangësi, sidomos në aspektin e zbatimit praktik të këtij binomi të domosdoshëm, midis kërkesës objektive të shoqërisë dhe perceptimit subjektiv të misionit dhe luajtjes së rolit në përputhje me këtë mision.