Presidenti rus Vladimir Putin pretendon se militantët e ISIS kanë marrë peng 700 persona në një pjesë të Sirisë që kontrollohet nga forcat që mbështesin Shtetet e Bashkuara.


Putin tha se pengjet përfshijnë disa amerikanë dhe evropianë dhe se ata po ekzekutohen. Presidenti rus nuk e specifikoi se cilat janë kërkesat e militantëve, por tha se ata kanë marrë peng rreth 130 familje, që përfshijnë rreth 700 njerëz.


Ai tha se militantët kanë paralajmëruar se do të vrasin dhjetë njerëz në ditë, nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen.


Agjencia ruse e lajmeve TASS, duke cituar burime të paidentifikuara ushtarake tha se pengjet janë marrë gjatë një bastisjeje në një kamp refugjatësh në provincën Deir-al Zor dhe se milittantët kërkojnë lirimin e anëtarëve të burgosur të Shtetit Islamik.


Mirëpo, kjo është hedhur poshtë nga Pentagoni. Në një njoftim pentagoni thekson se nuk kanë informacione që mbështesin numrin e madh të pengjeve që përmend Putin


“Ne konfirmuam një sulm në një kamp pranë Deir-al Zorit javën e kaluar, por nuk kemi informacione që mbështesin numrin e madh të pengjeve që përmend presidenti Putin. Jemi skeptikë për saktësinë e tij”, tha zëdhënësi i Pentagonit, komandanti Sean Robertson.


19 tetor 2018 (gazeta-Shqip.com)