Organizata Botërore e Shëndetësisë po përpiqet të zgjidhë problemin me virusin e Zikës që po përpahet me shpejtësi më mbarë Amerikën Latine dhe Karaibe. Virusi është i lidhur me difekte në lindje, dhe tek të rriturit shkakton një lloj paralize. Ekspertët kanë shumë pyetje të papërgjigjura, ashtu si edhe qytetarët e thjeshtë që folën me Zërin e Amerikës.

Aspekti më alarmues i virusit Zika është ndoshta lidhja me mikrocefalinë, foshnjet e lindura me anomali në kokë dhe tru.

Virusi po qarkullon në Amerikën Latine dhe Karaibe, por edhe njerëzit që folën me Zërin e Amerikës në Uashington janë të shqetësuar.

"Linda vitin e kaluar, në qershor dhe jam e shqetësuar si nënë," thotë Lisa Ortiz.

"Kam shumë anëtarë të familjes, motra dhe kushërinj që mund të ndikohen negativisht nga virusi kështu që jam sigurisht e shqetësuar," thotë Toney Rogers.

Disa mjekë thonë se kanë gjetur virusin Zika në trurin e foshnjeve që kanë vdekur pak pas lindjes.

"Nuk e dimë nivelin e lidhjes, nëse është rastësi, nëse virusi plus diçka tjetër ka rezultuar në mikroqefali, nëse Zika vepron me diçka tjetër ose nëse nuk është e lidhur fare me virusin. Nuk e dimë me siguri," thotë Dr. Anthony Fauci.

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se do të duhen disa javë të tjera për të pare në se ka lidhje. Agjencia thotë gjithashtu se një test për Zikën do të jetë i mundur së shpejti dhe gara ka filluar për të krijuar një vaksinë.

Virusi transmetohet nga një person tek tjetri kur një mushkonjë pickon një të infektuar dhe më pas pickon dikë tjetër.

Njerëzit kanë pyetje lidhur me simptomat. 80 përqind e të prekurve nga virusi nuk kanë simptoma.

"Mes 20 përqindshit që shfaq simptoma, ato janë të lehta si urtikarje, sy të skuqur dhe temperaturë", thotë John Michaud me fondacionin Kaiser Family.

Por cila është mundësia e përhapjes së virusit? Zika filloi në Uganda, por nuk duket të ketë shkaktuar mikrocefali aty. Por nëse kthehet përsëri në Afrikë nga Brazili, askush nuk mund të thotë cili do të jetë rezultati.

"Duhet të marrim masa parandaluese. Nuk i dihet sa shpejt mund të përhapet virusi."

Këtë thonë edhe ekspertët.

"Nuk dua ta them pork am frikë se është e vërtetë: nuk kemi informacion të mjaftueshëm ende për t'u përgjigjur shumë prej këtyre pyetjeve që vijnë."

Tek Zëri i Amerikës ne do të vazhdojmë të japim informacione rreth virusit Zika ndërsa shkencëtarët vazhdojnë të zbulojnë misterin e tij dhe ndërsa zhvillohen analiza dhe vaksina kundër tij.