Liqeni i Farkës po kthehet në një zgjedhje e bukur për të gjithë ata qytetarë që duan ta kalojnë kohën e lirë dhe fundjavën larg zhurmës së qytetit, në një mjedis që ofron qetësi, por edhe ajër të pastër. Falë investimit të Bashkisë së Tiranës për ndërtimin e shëtitores që rrethon liqenin, ashtu edhe përmes pyllëzimit, Farka po merr formën e një parku të mirëfilltë. Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit ka nisur fazën e dytë të pyllëzimit të parkut, ku vetëm në muajin mars janë parashikuar të mbillen rreth 2 mijë pemë të llojeve të ndryshme.


Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj theksoi se Parku i Liqenit të Farkës po bëhet vendi i dytë më tërheqës, pas atij të Liqenit të Tiranës. Teksa qytetarët shijojnë Parkun e Liqenit të Tiranës, kemi filluar një punë intensive në parqet e tjera që rrethojnë kryeqytetin. Jemi duke punuar në Parkun e Farkës, po mbjellim 2 mijë pemë, çka do ta bëjë këtë hapësirë vendin më tërheqës pas Parkut të Liqenit të Tiranës. Po ashtu, do të jetë një valvul shkarkimi për njësitë 1 dhe 2, për njësinë e Farkës dhe zonën rurale të Tiranës, nga Petrela, Mulleti e Bërzhita, tha kryebashkiaku Veliaj.


Ai shtoi se përveç mbjelljeve që po bëhen në parkun e Liqenit të Farkës, po punohet paralelisht edhe në disa pjesë të tjera të asaj që në Planin e Përgjithshëm Vendor njihet si Pylli Orbital, ndërsa ka ftuar qytetarët që të kontribuojnë në këtë drejtim. Ky ka qenë një vit fantastik për gjelbërimin në Tiranë, kemi thyer edhe rekordin tonë të 1 mijë pemëve në muaj. Vetëm APR ka mbjellë 8 mijë pemë këtë vit, çka e bën këtë vitin më të suksesshëm për sa i përket investimit në gjelbërim. Megjithatë, e kuptojmë se nuk mund të jetë monopol vetëm i Bashkisë së Tiranës, ndaj është shumë e rëndësishme që qytetarët të shfrytëzojnë pjesën e mbetur të marsit për të mbjellë një pemë në kujtim të një të sapolinduri, në kujtim të një çifti të sapormatuar, në kujtim të dikujt që sjeton më. Unë besoj se çdo sebep është një ide e mirë për të mbjellë një pemë dhe për ti lënë qytetit një pajë të gjelbër shumë më të mirë sesa ajo që gjetëm, u shpreh Veliaj.


Kryebashkiaku tha se një pjesë e përfaqësive diplomatike dhe donatorë të tjerë vendas i janë bashkuar thirrjeve të bashkisë, duke kontribuar në blerjen e fidanëve që do të bëhen pjesë e projektit për mbjelljen e 2 milionë pemëve deri në vitin 2030. Tashmë, Pylli Orbital ka donatorët e parë, disa ambasada të huaja e biznese vendase. Dua ti falenderoj publikisht për ndihmën. Kemi disa mijëra pemë gati për mbjellje në të gjithë perimetrin e Pyllit Orbital dhe mezi pres që në sezonin e ardhshëm të kemi akoma më shumë gjelbërim për qytetin e Tiranës, theksoi kryetari Veliaj.


Një rol tepër të rëndësishëm në realizimin e këtij projekti do të ketë edhe ecuria e projektit të parkimit me SMS, pasi çdo qindarkë e ardhur nga parkimi me pagesë do shkojë për të blerë fidanë të rinj. Është një mënyrë fantastike se si garantohet parkimi për qytetarët dhe një mundësi oër financimin e projektit të Pyllit Orbital. Çdo qindarkë që shpenzohet për parkimin publik në Tiranë, do ta shpenzojmë për të mbjellë sa më shumë pemë. Pemët që shikoni në sfond dhe shumë pemë të tjera këtë vit do të mundësohen falë çdo pagese të parkimit publik me SMS. Ndaj inkurajoj qytetarët jo vetëm të përdorin sa më shumë transportin publik, por ata që përdorin makinat të parkojnë me sms në numrin 50500. Veç parkimit, kështu paguajnë edhe një pemë që do ta mbjellim në Tiranë, tha Veliaj.


Drejtori i Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, Blendi Gonxhe u shpreh optimist me ritmet e punës për mbjelljen e pemëve të reja, duke theksuar se brenda marsit numri i tyre do të tejkalojë numrin  e pemëve të mbjella vitin e kaluar.


11 mars 2017 (gazeta-Shqip.com)