Autori i Lajmit: red.
Sot do të rinisin operacionet në pavijonin e Kardio-Kirurgjisë në QSUT. Drejtoria e Qendrës Spitalore në një mbledhje me kardiokirurgë konfirmoi se është zgjidhur problemi i mungesës së ujit. Rrjeti i ujësjellësit është riparuar, situata është përmirësuar dhe furnizimi me ujë ka nisur në të gjitha spitalet. Pasi konstatuan ardhjen e ujit dhe morën premtimin për furnizim pa ndërprerje, krerët e kirurgjisë vendosën rifillimin e ndërhyrjeve kirurgjikale. Ndërkohë që, operacionet në këtë pavijon ishin ndërprerë që prej disa ditësh, duke shkaktuar shqetësim tek pacientët që kishin planifikuar dhe datat.

Konfirmimi zyrtar i QSUT-së

“Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, që nga dita e djeshme ka filluar të furnizohet rregullisht me ujë dhe ka marrë garanci nga drejtoria e Ujësjellës-Kanalizimeve për furnizimin të bollshëm me ujë gjatë muajve të verës, pavarësisht disa problemeve të ndodhura ditët e fundit”, njoftoi zyra për shtyp e QSUT-së. Po sipas këtij burimi, mjekët kardiokirurgë do të fillojnë operacionet, me kapacitet të plotë pas dy ditë reduktimesh.

Medikamentet

Zëdhënësi i QSUT-së, Alvi Bajramaj konfirmoi se, në shërbimin e Kardiokirurgjisë nuk mungojnë as uji dhe as antibiotikët apo medikamentet e tjera mjekësore që shërbejnë për kryerjen e operacioneve. Edhe njëherë ju bëjmë me dije se në QSUT, operacionet gjatë muajve korrik dhe gusht reduktohen për shkak të tempetarurave të larta, por kjo nuk do të thotë se ato ndërpriten dhe pacientët mbeten pa shërbimin e nevojshëm. Operacionet urgjente kryhen në çdo kohë. Për këto operacione, QSUT ka materialet e duhura mjekësore dhe medikamentet e nevojshme. Duke ju referuar të dhënave të shërbimit të Statistikës Mjekësore në Drejtorinë e QSUT, u bëjmë të ditur se mesatarja e operacioneve të kryera gjatë viteve 2005-2006-2007, nga datat 23 qershor deri më 1 korrik është 414 operacione, ndërsa po për këtë periudhë në vitin 2008 janë kryer 508 operacione. Pra janë 94 operacione më shumë se mesatarja e tre viteve të mëparshme dhe kjo tregon që këtu puna vazhdon më së miri pa asnjë lloj ndërprerje

Ky lajm është publikuar: 03/07/2008