Fadil LepajaNga Fadil LEPAJA


Krejt fajet i ka SHBA dhe air ponter i  i saj, pra pajisja e instaluar e Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë, e cila paraqet ndotjen në nivel më të lartë për 20% se sa stacionet tona, matëse. Përse vëlla nuk ja ka besuar kalibrimin e këtyre pajisjeve, faktorit lokal.


Tash, ishim rehat. Kështu, diqysh, po bie besimi i qytetarëve në zyrtarët qendrorë e lokal. Vitin e kaluar, në të njëjtën periudhë, sipas të dhënave të zyrtarëve tonë, gjendja ka qenë edhe më alarmante, por aso kohe qytetarët nuk ankoheshin aq shumë, se zyrtarët jepnin shifrat e tyre. Dilema, tu besosh mushkërive, dhe fytit tënd apo qeverisë, zgjidhej në favor të qeverisë, sepse vetëbesimi qytetarë ishte nën zero. Në minus,pra!


Ndërkohë, sipas medias vesh më vesh, krejt faji për sëmundjet e shpeshtuara të mushkërive, u lihej rrezatimeve nga bombardimet e NATO-s dhe duhanit. Sivjet, krejt shteti u ngrit në këmbë, dhe u barrikadua në qendër, edhe për një arsye shtesë, se zyrtarët e lartë qëlluan këndej pari pasi nuk kishin viza të ikin jashtë, pastaj po akuzohen nga brenda dhe jashtë se nuk po mbajnë përgjegjësi për çështjet madhore që kanë të bëjnë me të ardhmen e vendit.


Pra, pak a shumë, thënë thjesht, qendra, ku banon shteti, po mbrohet prej periferie. Në këtë mbyllje kufijsh, në Prishtinë mundesh gjithsesi me hy, por veç me kontrabandë. Grupet që po e zbraznin Kosovën, kanë mbetur pa punë, sa për regjim të ashpërsuar në kufijtë e Evropës, sa edhe për faktin se populli që ka mbet as që është i motivuar me shkua në Evropë, se jeton nga buxheti. Pastaj krejt kanë qëlluar afër, nëpër institucione, krejt rreth qendre, me një grup të mbyllur në Viber, apo rrjetet e tjera sociale, i mbledh sa hap e mbyll sytë, për qaj. Sidomos në atë të ambientit dhe integrimeve euro-atlantike, mjafton dikush me lëshua kushtrimin.


Pra, o burra, në barrikada. Prishtina po mbrohet nga ardhacakët. Dikur këndohej një këngë, për të gjitha rrugët që qojnë në Prishtinë, dhe qajtoret e famshme, ku të gjithë vinin veç për të pirë qaj. Prishtina, kishte halle tjera, asokohe, se pushteti ishte i huaj, i instaluar dhe i dhunshëm dhe askush nuk u shkonte në zyrë për të pirë qaj.  Ndoshta shlivovicë!


Tash ka ndërrua situata. Qytetarët, sikur para apokalipsës ecin rrugëve me maska, në gojë.  Edhe Skënderbeu ka vu maskë, në Prishtinë. Kjo e bënë Skendën tonë të dallohet nga origjinali në Tiranë. Erioni, ka ecë me autobusët elektrik!  Në fakt, Skendës, ja vunë maskën, për të  sensibilizuar opinionin për helmimin masiv të qytetarëve, që po ndodhë ditëve të fundit, përmes emetimit të jashtëzakonshëm të gazrave në kryeqytet. Të gjithë kanë faj përpos (pu)shtetit.


Shteti, si shteti, po thotë, se fajtorë janë qytetarët, e në mes tyre disa janë më fajtorë se të tjerët , Kështu, nga dita e mërkurë atyre ua ka ndaluar hyrjen në qendër. Munden me parkua, ku të donë,në periferi, e drejt shtetit munden me ja mësy këmbë ose me autobusët lokal, të cilët edhe ashtu një kohë të gjatë po rrinë jashtë përdorimi.


Në krejt këtë zhurmë dhe mobilizim gjithëpërfshirës të (pu)shtetit, për të barrikaduar qendrën, askush nuk e fajëson pushtetin, as atë qendror apo lokal, të cilët lejuan përdorimin e veturave të stërvjetra, as për dizelin me kualitet të ultë të cilin  nuk e kontrollon askush, as për gazrat që emetohen pa kontroll nga tymtarët e lartë termocentraleve, të cilat nuk shpërndahen tutje kur nuk ka erë.


Fajtorë mbeten qytetarët, të cilët sipas zyrtarëve, me veturat e tyre me 30% i kontribuojnë ndotjes së ambientit, dhe kështu po e helmojnë shtetin që banon në qendër. Askush nuk e fajëson (pu)shtetin, i cili për përfitime  grupore apo individuale,  lejoi hyrjen e dhjetëra mijëra veturave të skaduara në vend, dhe ende nuk ka siguruar transport publik të besueshëm dhe komod.


 Mbetet e paqartë, përse ky reagim kaq i vrullshëm i shtetit, i cili nuk reagoi për shumë tema  të rëndësishme për të ardhmen e vendit, dhe duke mos reaguar e bllokoi tërë  vendin dhe qytetarët, duke mbetur kështu të vetmit në Evropë, pa viza.


Anash të gjitha fjalët, për ambientin e ndotur, sepse, përkundër faktit se Prishtina është mbuluar me re pluhuri, të gjithë duan të hyjnë në (krye)qytet, sepse qysh e thamë edhe më herët, në Prishtinë, në qendër, banon shteti. Shteti është biznesmeni kryesor, dhe idarja e të gjithëve në këtë vend varet drejtpërdrejtë nga shteti.


Për të shuar zërat e qytetarëve të cilët ankohen se shteti dhe sidomos disa nga zyrtarët më të lartë janë drejtë për drejtë përgjegjës për izolimin e vendit, dhe gjendjen e rëndë ekonomike e sociale, ata vendosën të ua marrin bukën qytetarëve që ankohen se nuk kanë djathë, pra i vunë vizat për të hyrë në Prishtinë. Tash, viza janë e viza nuk janë. Vunë barrierë.


Të kthehemi tash te titulli! Qysh me hy në Prishtinë,- ishte pyetja e një qytetari, në një emision të drejtpërdrejtë televiziv, i cili në Prishtinë vjen për të bërë biznes dhe e ka të domosdoshëm udhëtimin me veturë?


Në fakt, mundesh edhe nuk mundesh me hy në kryeqytet, prej sot. Mund të hysh këmbë, me autobus,  mundesh edhe nëpër male, edhe nëpër fusha, por jo nëpër autostrada. Mund të hyni me taxi,  me buss, apo mund të shfrytëzoni lidhjet familjare, pra të ftoni  vëllezërit ose kushërinjtë me  vendbanim në Prishtinë, të vijnë të ju marrin, ju që keni targa të jashtme. Fundja, tri ditë do të zgjas e gjithë kjo parodi. E shumta,dhjetë! (Pu)shteti e zbuloi  edhe një instrument për të zhvendosur vëmendjen nga temat tjera emergjente.


Ofroj një  veturë Mercedes Benz të 2017-të, për një kalë, me apo pa pajton ( karrocë), klithi plot dëshpërim dhe satirë, një qytetar, në fakt vet ambasadori ynë, i (vet)akredituar në facebook! Për të hyrë në Prishtinë, gjithsesi. Derisa qytetarët, po klithin për një kalë, për të hyrë në kryeqytet, pushtetarët, me gjasë, secilën herë e më tepër po vijnë në situatë të klithin, sikurse bëri dikur një mbret i famshëm: Jap mbretërinë, për një kalë…!


Në fund, për ti ikur ngatërresave, po japim targat e regjioneve, sipas një profili në facebook: 01 Prishtina, 02 Mitrovica, 03 Peja, 04 Prizreni, 05 Ferizaj, 06 Gjilani, 07 Gjakova, 3Z Drenica!


Shpejt pritet edhe reagimi i komunave të tjera. Veturat me targa 01, nuk do të mund të hyjnë në qytetet e tjera. Do të sigurohen autobus, për bartjen prishtinasve, pinjoll apo të ardhur pas lufte, në brendi të qyteteve. As qeveria nuk do të rrijë duarkryq, në këtë luftë ndër komunale.


Qeveria do të fusë, pasaportën komunale, dhe vizat e brendshme, sikur në kohët e arta…!  Pastaj do të vij liberalizimi! Mos të thotë kush se liberalizimi varet nga Evropa. Po çfarë Evrope …!


31 janar 2018 (gazeta-Shqip.com)