Partia më e re politike në vend, G99, ka deklaruar dje nga qyteti i Kuçovës se do të jetë pjesë e koalicionit të majtë për zgjedhjet e qershorit. Erion Veliaj zgjodhi qytetin e Kuçovës për të festuar ditën e verës, ku është takuar dhe me drejtuesit e strukturave së PS-së në këtë rreth dhe deklaroi se partia që ai drejton do të jetë pjesë e koalicionit të majtë. Në takimin e organizuar nga strukturat e PS-së së rrethit, u bë prezantimi i Fidel Yllit, si kandidati i parë për deputet në këtë qark i mbështetur nga PS-ja. Në fjalën e mbajtur në takim, kandidati Ylli kërkoi votat jo vetëm nga të majtët, por edhe nga të djathtët, duke u shprehur se tashmë ka ardhur koha e bashkimeve të mëdha mbi partitë politike për të ardhmen e vendit. "Unë jam sot këtu për të deklaruar se jam një nga kandidatët e majtë për zgjedhjet e qershorit në Qarkun e Beratit, pasi dhe origjina ime i përket këtij qarku. Me mbështetjen e miqve të mi, unë pranova të kandidoj, pasi shoh që vendi i prejardhjes sime është lënë krejt pas dore, duke u parë si bastion i së majtës", tha në fjalën e tij Fidel Ylli. Më pas, kryetari i G99-ës, Erjon Veliaj, deklaroi se partia që ajo drejton do të jetë pjesë e koalicionit të majtë në zgjedhjet e qershorit dhe e quajti koalicionin e madh që do të sjellë ndryshimin. "Simbolika e festës së verës mund të quhet më së miri simbolika e ndryshimit dhe ky ndryshim duhet të vijë me votë në datën 28 qershor", u shpreh Veliaj. Ai u bëri thirrje të rinjve të jenë pjesë e politikës, pasi vetëm duke u bashkuar do të mund të rrëzojnë nga pushteti politikën e vjetër që përfaqëson Berisha.