Qendra Kryesore e Mjekësisë familjare në Rahovec ka mbetur pa gjinekolog e urolog. Aty nuk ka as shoferë, arkëtar e teknik të rëntgenit. Që të gjithë gjenden në burg, të dyshuar për hajni. Kolegët e tyre besojnë se ata janë të pafajshëm, ndërkohë që pacientët e kanë më së vështiri.


Nga Lirita Halili më 04 qershor 2011 në ora 08:03

Rahovecasit që kanë nevojë për trajtime gjinekologjike e urologjike, duhet të kërkojnë shërim në qendra tjera jashtë qytetit. Krejt kjo pasi mjekët e vetëm të specializuar në këto dy fusha, janë prapa grilave.



Ejup Zeka, gjinekolog dhe Avdyl Hoxha, urolog, të vetmit specialistë në këto lëmi, prej mëngjesit të ditës së enjte gjenden në burg. Kjo ka bërë që Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare të mbetet pa asnjë doktor të kësaj fushe. Përveç urolog, Avdyl Hoxha deri para një muaji ishte edhe drejtor i kësaj qendre.



Por, QKMF në Rahovec nuk mbeti vetëm pa mjekë. Policia për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit i arrestoi edhe Shani Vuçitërnën, arkëtar, Agim Ejupin, Fatmir Dakën e Rexhep Vuçitërnën, që të tre shoferë, si dhe Selajdin Ramën, teknik i rëntgenit. Tash, qendra ka mbetur edhe pa shoferë të automjeteve emergjente dhe pa teknik të rëntgenit.



Të premten, në QKMF vërehej numër i vogël i pacientëve. Ata tashmë kishin kuptuar se personat kryesorë që kryenin shërbimet, për të cilat kishin nevojë, mungonin.



Por, përkundër pacientëve që ishin pajtuar me faktin që doktorët nuk gjendeshinn aty, janë kolegët ata që nuk pajtohen me atë çfarë ndodhi mëngjesin e së enjtes.

Agim Kadiri, drejtori i QKMF-së, nuk beson kurrë që kolegët e tij tashmë të arrestuar, mund të kenë bërë diçka nga ato gjëra për të cilat akuzohen.



Kadiri thotë se nuk ka kurrfarë informacioni nëse kolegët e tij mund të jenë të përfshirë në veprat, për të cilat dyshohen, pasi që ai mban postin e drejtorit vetëm që një muaj. Megjithatë, ai beson shumë që kolegët e tij, me të cilit punon që 20 vjet, do të dalin të pafajshëm.

“Policia ua ka caktuar masën e ndalimit për 48 orë, por unë shpresoj shumë dhe jam i bindur që pas këtyre orëve të caktuara, ata do të kthehen përsëri nëpër vendet e tyre të punës”, thotë Kadiri, teksa nuk heziton të thur lavde për ta. “Të gjithë janë punëtorë shumë të mirë e të zellshëm. Të gjithë janë të përkushtuar maksimalisht në punët e tyre. Kurrë nuk kemi vërejtur që po mungon diçka prej atyre gjërave, për të cilat kolegët e mi janë arrestuar. Të gjithë qytetarët kërkojnë shërbime tek ne dhe i gjejnë”.



Por arrestimi i kolegëve, nuk është shkaku i vetëm që e shqetëson Kadirin. Ai e ka edhe hallin se qendra, të cilën e udhëheq, ka mbetur pa mjekë. “Në mungesë të Ejup Zekës e Avdyl Hoxhës, që nga e enjtja ne po detyrohemi që pacientët t’i drejtojmë nëpër qendrat e qyteteve tjera”, thekson ai.



Njësoj si drejtori mendojnë edhe punonjësit tjerë të QKMF-së. Edhe përkundër akuzave të rënda, për të cilat janë arrestuar kolegët e tyre, ata besojnë verbërisht në pafajësinë e tyre.



Njëra ndër mamitë, e cila është edhe asistente e gjinekologut Ejup Zeka, thotë se të gjitha akuzat janë të pavërteta. Pa dashur t’i publikohet emri në gazetë, për shkak të respektit ndaj kolegëve të arrestuar, ajo shprehet e bindur se arrestimi i kolegëve është vetëm një keqkuptim. “Nuk e besoj që këto akuza drejtuar kolegëve të mi janë të vërteta, prandaj jam ndier shumë keq për atë që ndodhi të enjten. Mund të ketë qenë ndonjëri që ka bërë diçka, por jo edhe doktor Ejupi. Ai gjithmonë është korrekt në punë”.



Arrestimi i shtatë punonjësve të QKMF-së në Rahovec është bërë për shkak të dyshimit se ata kanë bërë shpërdorim të detyrës zyrtare dhe përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës. Hetimet lidhur me rastin kanë nisur muaj më parë dhe njësiti hetimor në Prizren, gjatë hetimeve të zhvilluara ka siguruar prova të mjaftueshme se ata kanë kryer veprat penale. Ata dyshohen të kenë shpërdoruar derivate, shitur pajisje medicinale nga automjeti i emergjencës, shitur pajisje të rëntgenit, pastaj ngritje gradash të punëtorëve pa kritere më parë të përcaktuara dhe pagesa për punë jashtë orarit të punës.