Bizneset nuk do të vërtiten nëpër qendra të ndryshme për të ekspozuar mallin dhe shërbimin për klientët ose për partnerët. Qeveria ka menduar krijimin e një qendre të vetme panairesh, ku do të kryhen aktivitete të ndryshme, me kushte më të mira, që favorizojnë biznesin. Qendra është menduar të jetë në Fushë- Krujë, rreth 40 kilometra larg Tiranës. Propozimi është bërë nga ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, duke u nisur nga fakti se kushtet ku zhvilloheshin panairet nuk ishin të denja për aktivitete private. Ligji është miratuar pak kohë më parë nga Këshilli i Ministrave dhe ka mbërritur në Kuvendin e Shqipërisë për t‘u diskutuar nga komisionet e posaçme parlamentare. Aktualisht, panairet zhvillohen në qendra të ndryshme në Tiranë, ku organizatorët janë kryesisht privatë, të cilët marrin me qira ambientet e shtetit me tarifa të lira dhe që më pas iu shitet biznesit në varësi të sipërfaqes, që zakonisht në pesë ditë qëndrimi kushton 50-60 mijë lekë.