Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit për zbatimin e masave alternative të shmangies nga ndjekja penale e të miturve në konflikt me ligjin. Veliaj shprehu mirënjohjen për Ministrinë e Drejtësisë që mundësoi një marrëveshje të tillë, ndërsa shtoi se kjo metodë shërben për rehabilitimin e fëmijëve.


Jam i lumtur që i besuat Bashkisë së Tiranës, si institucioni i parë që eksperimenton dhe sjell një risi në pesë qendrat tona sociale, ku shumë prej atyre që sistemi i drejtësisë i konsideron se kanë kryer vepra të lehta, që mund të rehabilitohen fare mirë në qendrat sociale, të kenë mundësi ta bëjnë këtë këtu. Të rinjtë që ju do të referoni në shërbimet tona nuk do të jenë pjesë e ndonjë institucioni, jo të disa kangjellave, as të një hapësire me katër mure, por të një përvoje që fillon nga socializimi me këshilltarë e psikologë, tek puna me drejtues dhe mentorë në komunitet, që mund ti përfshijnë në punë të tjera komunitare, tha Veliaj.







Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj tha se kjo marrëveshje krijon mundësi më bashkëkohore për trajtimin e fëmijëve që kanë probleme me ligjin.


Kjo qendër mund të konsiderohet si dallëndyshja e parë e një vargu qendrash sociale në Tiranë dhe në të gjitha bashkitë e tjera të vendit, ku të miturit me dënime alternative, do të kenë mundësinë të trajtohen, ashtu siç marrin shërbimin dhe trajtimin një kategori fëmijësh. Marrëveshja që po nënshkruajmë ka vlerën e gurit të themelit në një sistem të ri, krejtësisht bashkëkohor që ne jemi duke ndërtuar për drejtësinë për të miturit. Është një proces, i cili përbën një risi jo vetëm për vendin tonë, por njëkohësisht edhe për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Për herë të parë të miturit në kontakt me organet e drejtësisë trajtohen jashtë institucioneve të mbyllura, jashtë burgjeve, por në mjedise miqësore, ku do të kenë mundësi të korrigjohen, këshillohen, informohen dhe udhëzohen se si mund të përmirësojnë sjelljen, se si mund të riparojnë dëmin e shkaktuar, tha Gjonaj.


17 korrik 2018 (gazeta-Shqip.com)