06/06/2009  Prodhimi i fletës


KQZ vendosi dje prodhimin e 3 145 748 copë fletë votimi nga kompania sllovene, ndërkohë që në zgjedhjet e përgjithshme të qershorit janë regjistruar të marrin pjesë 3 084 067 votues. Numri i fletëve të votimit u miratua nga Komisioni edhe pas problematikës që ngriti drejtor i Drejtorisë së Teknikës dhe Informacionit Petrit Gjokutaj. Sipas tij, gjatë këtyre dy ditëve ka pasur presione nga disa krerë të njësive vendore për të bërë ndryshime te qendrat e votimit, pasi 953 qendra votimi kanë mbi 1000 zgjedhës, që është kufiri sipas ligjit; 114 qendra votimi kanë mbi 1500 zgjedhës dhe 10 qendra votimi kanë mbi 2000. “Ne po përgatitemi për fletën e votimit dhe bazën materiale sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme. Nëse ata veprojnë me kokën e tyre, kjo do të sjellë probleme ditën e zgjedhjeve”, - tha Gjokutaj. Konkretisht, Lushnja ka një qendër votimi me mbi 2859 zgjedhës, Durrësi ka një qendër votimi me mbi 2479 zgjedhës, komuna Paskuqan me 2261 dhe komuna Aliko me 2446 zgjedhës.