Që prej dorëheqjes në fillim të tetorit 2018 nga posti i ministrit, Fatmir Xhafaj kishte heshtur ose mbajtur një profil të ulët politik.


Me përjashtim të disa daljeve publike në krah të kryebashkiakut Erion Veliaj, zëri i tij nuk ishte dëgjuar as në Parlament për çështje të ndryshme ligjore.


Por ditën e sotme, në mbledhjen e Komisionit Parlamentar të Ligjeve, ndërhyrja e tij ka qenë sa e papritur, aq edhe thumbuese, duke u pozicionuar qartë kundër shumicës qeverisëse.


Në mbledhje po diskutohej nisma e mazhorancës për ndryshimin e rregullores së Parlamentit, e kundërshtuar nga opozita, por që sot e kësaj dite, edhe nga deputeti socialist.


Ish-ministri i Brendshëm, ka shprehur rezervat e tij në lidhje me këtë nismë të re, duke e lidhur me faktin se rregulloja po ndryshohej disa herë. Nisur nga kontestimet e opozitës Xhafaj vuri në dukje se këto ndryshime nuk mund të bëhen pa konsensusin e kundërshtarëve politikë në Parlament. Ai u shpreh se ndryshimet më tepër duhet të fokusohen te roli i deputetit, pasi ky rol është zbehur sipas tij.


Nuk është pozitive që nga 2005 deri 2017 rregullorja është ndryshuar 8 herë. E vlerësoj punën e Hysit për materialin e paraqitur për rregulloren. Bie dakord që të jetë proces konsensual. Propozimet e sjella duhet të sjellin një projekt të qëndrueshëm. Rregullorja dhe ndryshimet nuk fokusohen te roli i deputetëve. Ajo që do doja të shihja në këto ndryshime do ishte roli i deputetit në procesin ligjvënës dhe në raport me zgjedhësin. Ndryshimet e 2008 e kanë zbehur rolin e deputetit. Janë shndërruar më shumë në kartona sesa persona me identitet. Kjo është gjëja që duhet të na shqetësojë më shumë, deklaroi ai.


Xhafaj pretendon se deputetët janë kthyer në kartona, ndërkohë që statuti i PS i hartuar pikërisht nga ai, i ka kthyer në të tillë.


Akuza tjetër e hedhur sot në Komisionin e Ligjeve, është edhe pse legjislativi është kthyer në zgjatim të ekzekutivit. Por vetë statuti i hartuar prej tij i pari dhe nga deputetët e tjerë më pas, ka bërë që kryetari i ekzekutivit të zgjedhë legjislativin.


Një qëndrim me dy standarde, ky i njërit prej juristëve më të njohur brenda së majtës, i cili është njëkohësisht edhe përgatitësi i programit elektoral dhe qeverisës së kësaj mazhorance në një pjesë të mirë të saj.


Është kjo një mënyrë për të sulmuar kryeministrin, apo ka reflektuar dhe kërkon të korrigjojë gabimet që ka bërë në të shkuarën?


Pavarësisht nga gjithçka, përplasja e parë e hapur me partinë e tij dhe në mënyrë indirekte me  kryeministrin që pas dorëheqjes si ministër, mbart pas kulisa të vjetra.


Xhafaj ishte njeriu shkaktoi kaos në PS në lidhje me arrestimet e grupeve kriminale, sidomos për rastin e Vangjush Dakos dhe si faturë mori presionin e Ramës për të dhënë dorëheqje.


Cili është qëllimi i PS me propozimin e ri?


Në fakt, Partia Socialiste ka propozuar ndryshimin e Rregullores së Parlamentit, duke i vendosur kushte prokurorisë sa i takon hetimit dhe arrestimit të deputetëve. Për këtë ka paraqitur një amendim për nenin 118 të Rregullores, ku arrestimi apo hetimi i deputetit nuk mund të kërkohet pa paraqitur prova bindëse para Këshillit të Legjislacionit.


PS ka propozuar ndryshimin e rregullores duke vendosur kushte ndaj prokurorisë. Me rishikimin e nenit 118, hetimi ose arrestimi i deputetit nuk mund të kërkohet pa paraqitur prova bindëse para Këshillit të Legjislacionit dhe Mandateve në Kuvend.


Një debat i tillë u zhvillua dy vite më parë edhe me rastin e kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme ku i kërkohej Parlamentit arrestimi i ish-deputetit të PS-së, Saimir Tahiri.


Gazeta Shqip