Qentë endacakë mbeten ende shqetësim për qytetarët e Tiranës, pasi ata i ndesh jo vetëm në periferi, por edhe në zona shumë të frekuentuara.


Janë një shqetësim sepse ata qen rrugësh janë, por krahasuar me dhjetë vjet më parë janë reduktuar disi. Jane shqetësim sidomos për fëmijë, thonë qytetarët.


Përveçse burim sëmundjesh infektive, shpesh qentë endacakë janë edhe agresivë ndaj qytetarëve, madje ka pasur raste edhe kanë kafshuar kalimtarë.


Prej dy vitesh Bashkia e Tiranës ka nisur një projekt për sterilizimin e tyre. Pasi i kapin në rrugë i sterilizojnë, i vaksinojnë dhe më pas vendosin një kod e i lëshojnë sërish në rrugë.


Në fillim të projektit u përllogarit se endeshin rrugëve të qytetit 10 mijë qenë endacakë.


Nga shkurti i 2016 kemi kapur dhe lëshuar në habitat 4500. Qëllimi kryesor është ndalimi i shumimit të tyre dhe ka rezultuar që kemi ulur me 50 përqind numrin e qenve në rrugët e Tiranës, thotë Hermiona Hajdini, përgjegjëse e sektorit veterinar në Bashkinë e Tiranës.


Punonjësit e shërbimit veterinar në bashki janë trajnuar nga ekspertë të huaj.


Kam rreth 1 javë që asistoj dhe trajnoj ekipin e Bashkisë së Tiranës, të cilët po zhvillojnë procesin e sterilizimit të qenve endacake në qytet. Tirana po zbaton kontrollin e popullatës së qenve endacakë, siç është bërë më parë në çdo qytet tjetër europianë. Gjatë kësaj jave ne kryem gjithashtu një matje kampion të densitetit të qenve endacakë në lagje të caktuara. Më vjen mirë të pohoj se tashmë projekti i Bashkisë Tiranë, i nisur prej më shumë se një viti ka filluar të japë rezultat duke sjellë ulje të numrit të qenve endacakë. Ky do të jetë një proces i gjatë, por mjaft i qëndrueshëm, thotë Brian Faulkner, ekspert mbi kontrollin e kafshëve endacake.


Kjo problematikë ka sjellë shpesh debate nëse qentë endacakë duhen vrarë apo jo. Bashkia e Tiranës thotë se respektohet dokumenti mbi të drejtat e kafshëve, si dhe ligji për shërbimin veterinar që ka të përcaktuar mbrojtjen e tyre, por edhe raste kur duhen eleminuar duke specifikuar edhe metodat.


24 shtator 2017 (gazeta-Shqip.com)