Nëse merr një zyrë me qera në kryeqytet ka të ngjarë që ta paguash më shtrenjtë atë edhe se në kryeqytetin grek, në Athinë.


Të dhënat më të fundit të Colliers International bëjnë të ditur se qeratë mujore në zonat qendrore të biznesit janë ndër më të shtrenjtat në Ballkanin Perëndimor.


Për zyrat cilësore, qeraja mujore arrin deri në 24 euro për metër katror, ndërsa për zonat e klasit A arrin deri në 20 euro/m2, raporton Monitor.


Qeraja mesatare për zyrat e klasit A është 18.3 euro/m2, duke shënuar një rritje në vitin 2016, nga 17.5 euro/m2, që ishte në fund të 2015-s.


Në Athinë, qeraja mesatare është 15 euro/m2, në Serbi 17 euro/m2, në Sofje 13 euro/m2.


Sipas Colliers, në fund të gjashtëmujorit të dytë 2016, stoku i përgjithshëm i zyrave në Tiranë ka rënë në 101,307 m2.


Stoku aktual përfshin godina të klasit A, B dhe B + dhe godina për përdorim të kombinuar.


Ndryshimi i stokut në total tregon një rënie prej 3500 m2 si rezultat i hyrjes në treg të American Business Center për shkak të daljes nga tregu të qendrave të biznesit Veve dhe G-Kam, që për momentin nuk përmbushin kushtet për tu klasifikuar si zyra.


Këto ndryshime u pasqyruan edhe në një rënie në normën e zyrave të padhëna me qira, nga 11.4% në fund të 2015 në 8.84% në fund të 2016.


Pjesa më e madhe e ofertës për zyra është e vendosur në qendër të qytetit (përfshi zonën qendrore të biznesit), ndërsa zonat më pak të preferuara janë në rrethinat e Tiranës.


Projektet e mëdha të zyrave, të vendosura jashtë qytetit, kanë regjistruar norma të larta të moszënies. Këto norma nuk janë përfshirë në llogaritje, pasi mund të shtrembëronte analizën totale të moszënies së zyrave, që përfaqësohet nga godinat në zonën qendrore të biznesit, thekson Colliers.


Në fund të vitit 2016, stoku total i zyrave të dhëna me qera arriti në 79,563 m2, duke shënuar një normë moszënieje prej 8.84% (duke përjashtuar qendrat e biznesit jashtë qytetit). Kërkesa duket se është rritur lehtë për shkak se zyrat qendrore të Bankës Credins kanë zënë 100% American Business Center.


Pjesa më e madhe e aktiviteteve të qeramarrjes janë ende të bazuara në rinegocimin dhe rinovimet e bëra në bazë të posaçme. Pjesë të rinegocimeve e zënë dhe kërkesat për një ulje të qirasë dhe/ose përshtatjen e sipërfaqes së zyrave.