Rritja e depozitave në valutë rezultoi më e larta e tetë muajve të fundit. Statistikat tregojnë se kursimet në euro u shtuan në qershor me 6.4 miliardë lekë, nga rreth 2 miliardë lekë, që u rritën ato gjatë muajit maj .
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, depozitat në muajin qershor u rritën me rreth 6.5 miliardë lekë, apo 0.7% në raport me një muaj.
Kjo rritje erdhi tërësisht nga zgjerimi i depozitave në valutë, që u shtuan me 6.4 miliardë lekë, nga rreth 2 miliardë lekë, që u rritën ato gjatë muajit maj (me bazë mujore). Paniku i daljes së Greqisë nga euro, pas zgjedhjeje jo vendimtare të 6 majit dhe përsëritjes së tyre në 17 qershor, solli një fluks daljesh depozitash nga Greqia. Duket se emigrantët shqiptarë u shqetësuan më shumë në qershor, duke sjellë kursimet e tyre në Shqipëri. Kursimet e shtuara në valutë vetëm në qershor janë sa 54% e totalit të depozitave të shtuara për gjithë periudhën janar-qershor 2012. Rritja e depozitave në valutë në qershor ishte më e larta që nga gusht-shtatori i vitit të kaluar, periudhë tradicionale kjo kur gjithnjë vërehet një shtim i kursimeve në valutë, si rrjedhojë e ardhjes së emigrantëve për pushimet e verës.