Ndonëse Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashihej të krijohej qysh në Marrëveshjen e pParë për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë - Serbi, të datës 19 prill 2013, ky Asociacion ende mbetet temë e bisedimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Megjithëse takimi në Bruksel, ku kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe ai serb, Aleksandar Vucic do të bisedojnë për Asociacionin është edhe tri ditë larg, krijimi i kësaj bashkësie tashmë po shihet si një punë e kryer.
Fisnik Korenica nga GSJP thotë se nëpërmjet këtij Asociacioni, po shpërfaqet mungesa totale e përgjegjësisë nga Qeveria e Kosovës, e cila sipas tij, është mashtruar në tërë këtë proces.
Pavarësisht ratifikimit të marrëveshjes për Asociacionin nga Kuvendi i Kosovës më 27 qershor 2013, nevoja për ndryshimin e Kushtetutës për ta mundësuar krijimin e tij, do ta risjellë sërish atë në Kuvend. E në një rast të tillë, Vetëvendosje nuk beson që deputetët do ta refuzonin atë në Kuvend.
Pritet që para takimit në Bruksel, përfaqësues të Qeverisë së Kosovës të deklarohen në publik për ta sqaruar natyrën e këtij Asociacioni, kompetencat që do t'i ketë dhe në bazë të cilave ligje do të funksionojë, raporton KTV.