TIRANE-Të gjithë aplikantët që kanë depozituar CV- të e tyre në portalin e publikuar nga kryeministri Edi Rama, të cilët derimë tani numërohen në 14-mijë vetë, kanë marrë këto ditë një e-mail njoftues për hapjen e vendeve të reja të punës. Mesazhi është i përbashkët për të gjithë ata që kanë dërguar aplikimet e tyre në “Dërgo CV”. Ministrja për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito është personi përgjegjës që ka marrë përsipër të bëjë këto njoftime, veç deklaratave publike, me të cilat ajo bëri të ditur hapjen e vendeve të reja të punës.

Kështu, në e-mailin e dërguar thuhet: “I/E nderuar aplikant, Ju po merrni këtë informacion mbi bazën e interesit të shprehur në aplikimin online për punësim. Me anë të këtij mesazhi dëshirojmë t’ju informojmë mbi nisjen e procesit të konkurrimeve të hapura në Administratën Publike”. Më tej, e-maili i njeh aplikantët me të gjitha deklaratat dhe njoftimet që vetë ministrja Harito ka bërë në këtë periudhë kohore. E pas disa adresave në internet që renditen, thuhet se: “Për më shumë informacion lidhur me pozicionet e hapura, konsultoni rubrikën: ‘Vende të lira pune’ në portalin: http://bazakombetarepunesim.k erkojpune.gov.al/”. Madje më pas, u bëhet e qartë aplikantëve se do të vazhdojnë të marrin në vijim mesazhe informuese për pozicionet e punës që do të hapen. E duke ndjekur komandat, sipas porosisë së e-mailit, shfaqen edhe institucionet që kanë vendet e lira të punës. Drejtoria e Tatimeve, Ministria e Arsimit, Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit janë institucionet që kanë shpallur të parat vendet e punës. Deri më tani, prej ministres Harito është thënë se janë rreth 14 mijë aplikime online, në portalin e lançuar prej kryeministrit Edi Rama, ndërsa ende nuk kishte filluar punë zyrtarisht qeveria e re. Ministrja Harito ka shpjeguar edhe në deklaratat dhe intervistat e saj, se “do të zhvillohet një proces me rregulla shumë të forta, me konkurrencë të lirë dhe me rezultate të bazuara vetëm dhe vetëm mbi meritën”.

Harito tha ditë më parë se: “Kandidatët kanë nisur të lajmërohen nëpërmjet faqeve zyrtare të institucioneve, por edhe nëpërmjet bazës së të dhënave online, e cila po shndërrohet në një bazë shtetërore të dhënash nëpërmjet Shërbimit Kombëtar të Punësimit. Mbi 100 kandidatura janë përgjigjur vetëm për 4 vende pune”. Ndërkohë që ajo theksoi se: “Do t’i japim gjithashtu fund epokës kur vendet e punës në këto institucione paguheshin me shuma të majme. Sipas fushave dhe profesioneve, do të vazhdojmë të lajmërojmë të gjithë aplikuesit e bazës së CV online për hapjen graduale të këtyre konkurseve, pra në të gjithë Shqipërinë”.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)