Zv/ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, i ftuar në emisionin Top Talk me gazetarin Denis Dyrnjaja, pranoi se grabitja e bujshme në Rinas është cënim i sigurisë kombëtare.
“U cënua siguria kombëtare, u cënua siguria në një nyje nevralgjike të vendit tonë, siç është aeroporti i vetëm ndërkombëtar në Shqipëri. Duhet të kuptojmë pse ndodhi kjo, deklaroi Lamallari.
Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes është shprehur më parë se ky rast nuk përbën cënim të sigurisë kombëtare.
Kur u pyet nëse kishte përgjegjësi policia, Lamallari u shpreh: Përgjegjësia është e shumë aktorëve, por nga korrespondencat mes policisë dhe koncesionarit, ka 10 rekomandime nga policia për forcimin e parametrave të sigurisë. Gjithmonë Policia e Shtetit i ka adresuar koncesionarit shqetësimin për të marrë masat e nevojshme, pasi siguria ishte përgjegjësi e koncesionarit. Nga dita e djeshme, situata e sigurisë në Rinas është marrë nga policia.
Kur u pyet se kush do të mbante përgjegjësi nëse avioni merrej peng, zv/ministri i Brendshëm theksoi se për çdo person të paautorizuar që futet në pistë, me apo pa armë, përgjegjëse është shoqëria.