TIRANE - Ambasada Amerikane mirëpret përzgjedhjen e ministrave të kabinetit të ri qeveritar, duke vlerësuar kryesisht përfshirjen e një numri më të madh ministresh femra në dikasteret kyçe.

Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, Ambasada Amerikane thekson se pret me kënaqësi të punojë me Këshillin e Ministrave të ardhshëm, duke vlerësuar faktin se shumë prej ministrave të rinj kanë pasur përvoja profesionale dhe arsimore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjithashtu, Ambasada nënvizon se pret me kënaqësi vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë me të gjitha partitë e përfaqësuara në Kuvendin e Shqipërisë.

“Ambasada e SHBA mirëpret ministrat e sapo-përzgjedhur të kabinetit të Aleancës për Shqipërinë Europiane dhe vëren me vlerësim emërimin e një numri më të madh ministresh dhe caktimin e tyre të propozuar në dikastere kyçe. Përfshirja e ministreve pasqyron një hap pozitiv drejt barazisë më të madhe gjinore brenda udhëheqjes politike të Shqipërisë. Ambasada e SHBA pret me kënaqësi të punojë me Këshillin e Ministrave të ardhshëm, shumë prej të cilëve kanë pasur përvoja profesionale dhe arsimore në Shtetet e Bashkuara, në zbatimin e axhendës së tyre të reformave për të arritur synimet e Shqipërisë për integrim më të madh euro-atlantik. Gjithashtu presim me kënaqësi vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë me të gjitha partitë e përfaqësuara në Kuvendin e Shqipërisë.”- thuhet në deklaratën e Ambasadës Amerikane. 

STRUKTURA E QEVERISE “RAMA” (2013 – 2017)
Kryeministri Edi Rama
Zv/Kryeministri Niko Peleshi

MINISTRITE:
1. Ministria e Financave Shkëlqim Cani
2. Ministria e Brendshme Saimir Tahiri
3. Ministria e Mbrojtjes Mimi Kodheli
4. Ministria e Jashtme Ditmir Bushati
5. Ministria e Integrimit Europian Klajda Gjosha
6. Ministria e Drejtësisë Nasip Naço
7. Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Arben Ahmetaj
8. Ministria e Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri
9. Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit Eglantina Gjermeni
10. Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto
11. Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave Edmond Panariti
12. Ministria e Shëndetësisë Ilir Beqja
13. Ministria e Arsimit dhe Sportit Lindita Nikolli
14. Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Erjon Veliaj
15. Ministria e Kulturës Mirela Kumbaro
16. Ministria e Mjedisit Lefter Koka

MINISTRAT E SHTETIT:
17. Ministër për Inovacionin dhe Administratën Publike Milena Harito
18. Ministër për Çështjet Vendore Blend Cuci
19. Ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin Ilirjan Celibashi

(er.nu/BalkanWeb)