Një amnisti për të burgosurit pritet të dërgohet nga qeveria në Parlament, para festave të fundvitit dhe në kuadër të saj, pritet që qelive tu thonë lamtumirë rreth 900 të dënuar. Projektligji është hartuar nga Ministria e Drejtësisë dhe i është dërguar për mendim Prokurorisë së Përgjithshme dhe Ministrisë së Brendshme.


Mësohet se pasi të shprehen këto institucione, drafti do të kalojë për diskutim në qeveri dhe votim në Parlament.


Në projektligjin e propozuar nga qeveria, parashikohet të përfitojnë nga amnistia, të gjithë personat e dënuar me vendim të formës së prerë, me burgim deri në tre vjet, për dënime të dhëna deri më 30 nëntor 2018, pavarësisht kohës që u mbetet për të vuajtur.


Gjithashtu, do të amnistohen të gjithë personat e dënuar me burgim, të cilëve deri në datën e hyrjes së fuqi të ligjit, u kanë mbetur pa vuajtur një periudhë deri në dy vite burgim.


Edhe femrat e dënuara do përfitojnë nga ky vendim. Bëhet fjalë për femrat, të cilat në datën e hyrjes së fuqi të ligjit, janë baras ose mbi moshën 50 vjeç, ndërsa për meshkujt, ata që janë baras ose mbi moshën 60 vjeç.


Amnistohen gjithashtu personat e dënuar me burgim, të cilët në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç, përjashto ata që kanë kryer vrasje ose krime të tjera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.


Po ka edhe një grup të dënuarish që nuk do të përfitojnë nga amnistia.


Të dënuarit për krime kundër njerëzimit, krime seksuale, vepra penale kundër moralit dhe dinjitetit, apo ata që kanë kryer vepra penale kundër fëmijëve martesës ose familjes, nuk përfitojnë nga kjo amnisti, thuhet në projektligjin e qeverisë.


Në draft parashikohet se Nuk përfitojnë nga amnistia, as të dënuarit për krime që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokrat të zgjedhjeve, por edhe personat të cilët i janë shmangur drejtësisë.


Ndërkohë kujtojmë se amnistia e fundit që u dha nga qeveria Rama ishte në 2016 dhe asokohe përfituan mbi 700 të dënuar.


30 nëntor 2018 (gazeta-Shqip.com)