Ashtu sië premtoi ministra Nikolla, qeveria shfuqizoi zyrtarisht VKM nr 288 pika numër 4, e cila parashikonte tarifa për provimet e mbartura në bazë të krediteve.


Në pikën 4 thuhej:”Studenti, i cilësuar në bazë të rregullores së institucionit të arsimit të lartë publik si përsëritës në një lëndë apo në shumë lëndë dhe vijon studimet në vitin pasardhës, i nënshtrohet tarifës së shkollimit për kredit për detyrimet apo lëndët përsëritëse, si dhe tarifës vjetore të shkollimit të vitit akademik në të cilin vazhdon studimet”.


Vendimi vjen menjëherë pas deklaratës së Ministres Nikolla, e cila u shpreh e hapur për plotësimin e kërkesave të studentëve. Ajo tha se protesta e studentëve shërbeu si një reflektim për një debat shterues brenda Universitetit.


Në një kohë kur ministrja e Arsimit Lindita Nikolla iu plotësoi atyre një prej pikave, shfuqizim të VKM për tarifat për provimet e mbartura, studentët protestues nuk e kanë pritur mirë këtë vendim.


Teksa ndodhen përballë Ministrisë së Arsimit ata pohuan se nuk do të ndalen në asnjë moment, deri në plotësimin e 4 kërkesave që i kanë parashtruar Nikollës. Ndërkohë ata pohuan se ditën e nesërme do të vijojnë sërish me protestën, ndërsa në orën 8:00 do të mblidhen para Kryeministrisë.


Do e diskutojmë me të gjithë studentët dhe do të marrim një vendim. Duke qenë se kishim deklaruar se ministra do të na kthente përgjigje, për sot, e mbyllim protestën. Me thirrjen që do të mblidhemi sërish nesër në të njëjtën mënyrë. Do shihet nëse do ketë reagim, -tha një prej përfaqësuesve të Këshillit studentor, ndërsa shtoi se protesta për sot mbyllet.


Ndërkohë një tjetër studente tha: Nesër në orën 8 mblidhemi tek ministria dhe marshojmë deri para kryeministrisë. Dekanët e fakulteteve të mbajnë përgjegjësi për të plotësuar kushtet për institucionet


6 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)