Për herë të parë qeveria shqiptare merr vendimin për dhënien e një liçence llotarie kombëtare. Në kohën kur kriza globale është më evidente, qeveria merr këtë vendim me anë të cilit mund tu jepen mundësi shqiptarëve të fitojnë me shumë dhe pse jo të harxhojnë lekë përmes lojërave të fatit.


Vendimi i qeverisë konsiston në miratimin e kritereve të vlerësimit të garës, të dokumenteve standarte dhe strukturës së Komisionit të Vlerësimit të Aplikimeve, për dhënien e liçencës për lotarinë kombëtare. Duke e vlerësuar këtë vendimarrje të kabinetit qeveritar, kryeministri Berisha sugjeroi që një përqindje e të ardhurave nga ky aktivitet të përdoren për të siguruar fonde për të mbështetur sportet, talentet e reja dhe të sëmurët me neoplazi.


Në faqen elektronike të Këshillit të Ministrave thuhet se ky vendim është hartuar pas një konsulence të gjerë dhe mbi standarte evropiane, me ekspertë të Shoqatës Europiane të Lotarisë Kombëtare dhe të Shoqatës Botërore të Lotarisë.


Me anë të këtij vendimi përcaktohen edhe standartet më të larta në vlerësimin e aplikimeve për dhënien e liçencës për lotarinë kombëtare, në përputhje me standartet për ushtrimin e lojërave të fatit, të përcaktuara nga Shoqata Botërore e Lotarisë dhe Shoqata Europiane e Lotarisë.