Qeveria ka miratuar një projektligj, i cili i hap rrugë krijimit të një korporate shtetërore që do të realizojë investime publike. E organizuar në formën e shoqërisë aksionare, kapitali themeltar për ngritjen e korporatës së investimeve do të financohet nga buxheti i shtetit.



Por ky nuk do të jetë burimi i vetëm. Sipas vendimit të qeverisë, korporata ka të drejtën të marrë pronësinë e çdo prone publike, të cilën ajo e vlerëson si të përshtatshme për projekte investimi.


Kur Korporata identifikon prona shtetërore me interes, për të realizuar projekte investimi, i propozon Këshillit të Ministrave, nëpërmjet ministrit përgjegjës për ekonominë, transferimin e tyre te Korporata, thuhet në vendimin e qeverisë.


Përveç pronave shtetërore dhe kontributit nga buxheti i shtetit, qeveria i ka dhënë të drejtën korporatës së investimeve që të hyjë në marrëdhënie financiare me bankat, pra të marrë kredi nga bankat vendase ose ato të huaja.


Korporata e investimeve hyn në marrëdhënie bashkëpunimi me institucione financiare vendase dhe/ose ndërkombëtare për të siguruar investime, thuhet në vendim.


Përmes kësaj pike, qeveria praktikisht i hap vetës mundësinë që të marrë borxh publik jashtë buxhetit, një procedurë sipas ekspertëve, më shumë risk


Do të krijohej borxh ekstra buxhetor, n.q.s korporata do hyjë në marrëdhënie me sistemin bankar vendas, mund të krijonte probleme për të transmetuar këto efekte në sistemin tonë të brendshëm, shprehet eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa.


Por kjo nuk është rezerva e vetme mbi korporatën e investimeve. Paralelisht ajo do të ketë fuqi të bëjë tendera, pa iu bindur ligjit të prokurimeve publike. Korporata, si operator me karakter ekonomik e tregtar, u nënshtrohet rregullave të posaçme të prokurimit ose të konkurrimit.


Pra një institucion shtetëror që do të shpenzojë para publike jashtë ligjit të prokurimeve, një formë që për ekspertët lë shtigje të mëdha abuzimi. Nisma për krijimin e korporatës së investimeve u lajmërua fillimisht në platformën e konsultimit.