rama1

Dhënia e një posti sekretari në parti për Ilir Beqen, megjithëse statuti i partisë nuk e lejon, është një paralajmërim se skandalet po e përmbytin opinionin publik dhe duhen marrë masa. Kokat e ministrave që do priten janë një masë gjysmake që s'do të mjaftojë. Njeriu që ka pranuar praktikën "skandali mbulon skandalin" mban përgjegjësi direkte për qeverisjen e papërgjegjshme, prandaj edhe Edi Rama do të përgjigjet, personalisht, politikisht e juridikisht, për këtë klimë depresioni që po mbizotëron në shoqërinë shqiptare

Publikut i kujtohet premtimi i Edi Ramës se s'do të falte asnjë ministër që përfshihej në skandal dhe do të largohej nga kabineti, secili që bëhej objekt i një skandali. Tashmë, kur jemi në vitin e tretë të qeverisjes, sjellja e Edi Ramës ngjan krejtësisht qesharake. Skandalet numërojnë njëri-tjetrin dhe sjellja e kryeministrit është e njëjta, ajo e injorimit të opinionit publik dhe e shantazhimit të institucioneve që tentojnë të zbardhin përgjegjësitë e skandaleve. Përveç skandaleve famoze të ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj, i cili ka bërë rrush e kumbulla të gjitha fondet në disa koncesione e pseudotendera, të cilat kanë shkuar në të njëjtat duar, ato të klientelës private të kryeministrit si dhe tek firma që deri në 2013-n ishte edhe formalisht firmë e Ilir Beqes, numërimi s'ka fund. Lidhja e Saimir Tahirit me bandën e Saimir Shullazit tashmë është një domen publik, tashmë firmat e papërgjegjshme të ministrit Damian Gjiknuri janë objekt hetimi i prokurorisë. Afera e CEZ është cilësuar prej KLSH-së si një dokument që i ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë humbjen e rreth 500 milionë eurove. Edhe Arben Ahmetaj e Lindita Nikolla janë përfshirë në listën e ministrave që firmosin për klientelën e kryeministrit, pavarësisht skandaleve që prodhojnë firmat dhe reaksionit të opinionit publik. Vetëm në vitin e fundit, skandalet janë aq të mëdha, sa refuzimi i kryeministrit Edi Rama për të marrë vendime e për të kufizuar dëmin publik të bëjnë të mendosh se premtimi i Edvinit në fakt nuk është reagimi për të zbardhur skandalet, por enumerimi i tyre, rreshtimi i tyre njëri pas tjetrit, si një strategji që sjell largimin e vëmendjes nga qeverisja dhe çelikosjen e klimës së papërgjegjsmërisë dhe të pandëshkueshmërisë së kabinetit "rilindas" të Edi Ramës. Shfaqja e Tahirit në marrëdhënie private me Shullazin, njëlloj si më herët me Durim Bamin, refuzimi i ministres Kodheli për të kryer transparencën e rrëzimit të helikopterit, pas një fluturimi për interesa private dhe sjellja krejt e papërgjegjshme e ministrit të Financave në caktimin e politikave në dogana e tatime apo edhe në planin për dhënien e koncesioneve masive, janë tregues i një strategjie politike për të vjedhur pa dhënë llogari dhe për të tulatur opinionin publik, përmes praktikës "skandali mbulon skandalin". Kjo taktikë ka funksionuar në vitet e para të qeverimit për shkak të një mekanizmi të egër propagandistik, por tashmë Edi Rama duket se e ka të pamundur të luajë shurdhin. Lejimi i Shkëlqim Canit për të mbajtur mandatin e deputetit ishte njëfarë "police sigurimi" për ekuilibrat politikë. Edhe dhënia e një posti sekretari në parti për Ilir Beqen, megjithëse statusi nuk e lejon, është një paralajmërim se skandalet po e përmbytin opinionin publik dhe duhen marrë masa. Kokat e ministrave që do priten janë një masë gjysmake që s'do të mjaftojë. Njeriu që ka pranuar praktikën "skandali mbulon skandalin" mban përgjegjësi direkte për qeverisjen e papërgjegjshme, prandaj edhe Edi Rama do të përgjigjet, personalisht, politikisht e juridikisht, për këtë klimë depresioni që po mbizotëron në shoqërinë shqiptare.