Qeveria e drejtuar nga lideri i LDK-së, Isa Mustafa, pavarësisht paralajmërimit për emërimin e një zëdhënësi të ekzekutivit të vendit, ende nuk e ka bërë një gjë të tillë, kështu që e vetmja mënyrë për marrjen e informatave për punën e Qeverisë së vendit është vetëm nga postimet që i bëjnë ata në rrjetin social "Facebook", apo në ndonjë konferencë për media.

Pushtetarët tani nuk flasin fare për këtë çështje, ndërkohë që përfaqësuesit e gazetarëve dhe të organizatave joqeveritare e vlerësojnë si jokorrekte mungesën e zëdhënësit të Qeverisë.
Ata, më tej, vlerësojnë se injorimi i kësaj çështjeje nga Qeveria tregon mosgatishmërinë e saj që të ofrojë një qeverisje të hapur ndaj qytetarëve dhe medieve të vendit. Përfaqësuesit e shoqërisë civile, po ashtu, kanë thënë se Kosova vuan nga modeli i qeverisjes jotransparente.
Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Zekirja Shabani, ka thënë për "Zërin" se Qeveria "Thaçi", duke mos pasur një zëdhënës ka dëshmuar mungesë të transparencës, ndërsa sa i përket Qeverisë së re, ai ka thënë se shpreson që të mos e ndjekë një model të tillë.

"Mungesa e zëdhënësit në Qeverinë e Kosovës dhe mosgatishmëria e zyrtarëve të ekzekutivit për të komunikuar me medien ka dëshmuar se sa pak transparente ka qenë ekzekutivi në këto katër vjet. Shpresojmë që kryeministri i ri të mos ndjekë rrugën e njëjtë të ish-kryeministrit që në emër të transparencës të komunikojë me opinionin njëanshëm përmes llogarisë së tij në "Facebook", ka deklaruar Shabani, duke thënë se si Asociacion i Gazetarëve kërkon nga kreu i Qeverisë, Isa Mustafa, që të jetë i hapur për media dhe të caktojë një zëdhënës, të cilit mund t'i drejtohen gazetarët për punën e ekzekutivit.

Edhe publicisti, Halil Matoshi, e ka vlerësuar si jokorrekte mungesën e një zëdhënësi në Qeverinë e vendit. Sipas tij mungesa e transparencës qeveritare është shndërruar në model qeverisjeje në vend.

"Praktikisht, në Kosovë kemi problem me modelin e qeverisjes pavarësisht se kush vjen në pushtet modeli mbetet i njëjtë, jotransparent dhe i mbyllur për publikun dhe për mediet. Modeli, apo mënyra se si qeveriset Kosova është e tillë, jotransparente, prandaj qeveritarët tanë frikësohen nga qytetari, nga publiku se po të jenë transparentë këta nuk mund të qëndrojnë më tutje në pushtet", ka është shprehur Matoshi.

Kurse, drejtori ekzekutiv në Lëvizjen "Fol", Fidan Kalaja, ka thënë se mosangazhimi i zëdhënësit nga Qeveria e kaluar dhe injorimi i kësaj çështjeje nga kjo Qeveri tregon mosgatishmërinë e tyre që të ofrojnë një qeverisje të hapur ndaj qytetarëve dhe medieve të Kosovës.

"Kjo mosgatishmëri dhe mungesa e ideve dhe politikave proaktive për qeverisje të hapur ka shkaktuar perceptim dhe përvojë negative të qytetarëve të Kosovës në raport me këtë institucion, ka qenë shkak i shumë keqpërdorimeve e i skandaleve, ku për shkak të mungesës së burimeve të sakta të informimit tek opinioni publik është shkaktuar konfuzion dhe ka ndikuar direkt në raportin ndërmjet Qeverisë dhe medieve", ka vlerësuar Kalaja.

Praktika e moscaktimit të një zëdhënësi të Qeverisë ka filluar nga ish-kryeministri, Hashim Thaçi. Në fillim të qeverisjes së Thaçit, rolin e zëdhënësit të Qeverisë e luante, zëvendëskryeministri i asaj kohe, Hajredin Kuçi, ndërsa më pas zëdhënës u caktuar, Memli Krasniqi. Kurse Qeveria "Thaçi 2" gjatë tërë kohës ishte pa zëdhënës.