Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e fundit të qeverisë, emërimin e Arben Ristanit si zëvendësministër i Brendshëm. Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve zë postin e ish- zëvendësminstrit, Avenir Peka, i cili aktualisht është emëruar në krye të Agjensisë së Kthimit dhe Kompensimit të pronave.

Në mbledhjen e  fundit të qeverisë u miratuan edhe disa vendime në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë, duke qenë se po afrohet data e shënuar. Kështu, Këshilli i Ministrave vendosi për  kthimin në atdhe të eshtrave të personalitetit të shquar shqiptar, Mbretit Zog I. Sipas vendimit, Ministria e Punëve të Jashtme, nëpërmjet misionit diplomatik të  Shqipërisë në France, do  të organizojë procedurat e nevojshme ndërshtetërore për të sjellë në atdhe eshtrat e Mbretit Zog I. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
Po ashtu u miratua vendimi për shtimin e një fondi prej dy milionë e pesëqind mijë lekë, Ministrisë Kulturës, për mbulimin e shpenzimeve të realizimit të spotit televiziv të 100-Vjetorit të Pavarësisë. Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit. Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
Në mbledhjen e fundit të qeverisë u miratua edhe vendimi për shtimin e një fondi prej 
 pesë milionë e shtatëdhjetë mijë e lekë, për Bashkinë e Lushnjes, për financimin e bazamentit të monumentit, kushtuar Kongresit të Lushnjes, që do të vendoset në këtë qytet.  Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit dhe vendimit hyn në fuqi menjëherë.