Vijojnë reagimet nga ana e qeverisë për supergrabitjen e djeshme në aeroportin e Rinasit. E radhës që ka shprehur shqetësimin për ngjarjen është kryetarja e Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Ermonela Felaj.


Për Ora Neës ajo nuk e ka mohuar se grabitja e 10 milionë eurove, mund të shtyjë qeverinë të rishikojë marrëveshjet koncesionare me kompaninë kineze që ka në administrim aeroportin e vetëm të Shqipërisë.


Është koha të shikohen marrëveshjet e ndryshme koncensionare, jo vetëm për sigurinë e Rinasit, por dhe marrëveshjet e lidhura para 2013 për pikat kufitare. Marrëveshjet koncensionare janë problematike,  pengojnë operimin e policisë në objektet e rëndësisë së veçantë, tha ajo.


Felaj tha se një hap është hedhur, duke kërkuar largimin e policisë private nga objektet e rëndësisë së veçantë, ndërsa këtë gjë do të bëjë “Illyrian Guard”.


Illyrian guard, do merret me ruajtjen e objekteve të rëndësisë së veçantë, dhe sa më shpejt do ndërhymë në këto marrëveshje, theksoi ish-ministrja e Ramës.


Pasi zhveshi qeverinë nga përgjegjësitë, Felaj ia kaloi topin Presidentit Ilir Meta, duke thënë se i takon Kreut të Shtetit të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare për këtë ngjarje të rëndë, pasi kjo është kompetencë vetëm e tij.