E përdorin shumë. Në kafiteri thonë se makiatot bëhen shumë të mira me të. Por, produkti hungarez Sole, që konsumatorët e blejnë për qumësht, dikush po thotë se nuk është i tillë.


Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës së Kosovës ka konstatuar se Sole është pije freskuese e jo qumësht. Ata u bëjnë thirrje konsumatorëve që ta verifikojnë dekleracionin e këtij produkti dhe mos ta blejnë një produkt të ndryshëm duke aluduar në diçka tjetër.


Por, në kompaninë Koral-Sole, që e importojnë këtë produkt nga Hungaria, thonë të kundërtën dhe se në asnjë mënyrë ky produkt nuk mund të klasifikohet si pije freskuese.


Dilema ka filluar nga shtatori i këtij viti.


AUV shpjegon se në atë kohë ka bërë ndalesën e produktit të emërtuar dhe deklaruar si “Pije Qumështi” (pije me baze qumështi të trajtuar termikisht dhe me yndyrë bimore) për arsye të mospërmbushjes së kritereve të rregulloreve lidhur me deklarimin e produkteve ushqimore të cilat ndër të tjerash rregullojnë edhe mbrojtjen e konsumatorit nga mashtrimet në emërtimin e produkteve.


Me referimin nga autoriteti kompetent i Hungarisë është bërë ndalesa e produktit të deklaruar si “Pije Qumështi” deri në përmirësimin e mangësive, zëvendësimit të yndyrës bimore me atë shtazore, deklarimit korrekt, pra jo “pije qumështi”, por “pije” në ambalazhin e tij si dhe deklarimi i përbërësve të tjerë.


Lamir Thaçi, zyrtar për informim në AUV, thekson se pas ndalesës, prodhuesit hungarezë kanë ndërmarrë masat e duhura për të bërë ndryshimet e kërkuara dhe produktit, tani është lejuar për import si produkt me përbërje të qumështit, por me ndryshimet e kërkuara.


“Pra tani është shumë e qartë, ai produkt është pije dhe me dekleracion është i shënuar si pije dhe nuk duhet ngatërruar apo blerë si UHT qumësht. Ndërsa “pije” konsiderohet si pije freskuese apo shtese e kafesë e jo si ushqim”, thotë Thaçi.


Nëse shitet si qumësht, sipas tij, konsiderohet mashtrim i konsumatorit.


Ndërkaq, drejtori i kompanisë Koral-Sole, Naser Rusinovci, kompani kjo e cila e importon Sole-n nga Hungaria, thotë se në asnjë mënyrë ky produkt nuk mund të klasifikohet si pije freskuese.


“Sole është qumësht. Me të gjitha konventat, me të gjitha direktivat, me të gjitha rregulloret klasifikohet në bazë të sistemit unik të klasifikimit të artikujve në familjen e qumështit”, thotë Rusinovci.


Arsye pse është quajtur pije qumështi e jo qumësht, sipas tij, është se përveç yndyrës shtazore, ka përmbajtur edhe yndyrë bimore.


“Dhe ajo materie është ndaluar në qershor të vitit 2012 në Unionin Evropian. Qumësht nuk mundet me u trajtu ma ose me u emërtu nëse e ka atë materie të botës bimore”, thekon Rusinovci.


Sipas tij, ky telash është evituar dhe me kërkesë të kompanisë së tij, janë bërë ndryshime në përmbajtjen e Soles në kompaninë prodhuese në Hungari.


“Yndyrën bimore e kemi heq dhe në momentin që përmban bazën e qumështit dhe ka mbi 51 për qind qumësht të pastër natyral klasifikohet dhe emërohet vetëm qumësht”, pohon Rusinovci, shkruan "Express".


Pavarësisht se ky qumësht shitet pa problem në Hungari, Holandë e Rumani, me yndyrë bimore ai thotë se për Kosovë e kanë ndryshuar përmbajtjen. Pra, nga ajo bimore është kthyer në yndyrë shtazore dhe analizat e bëra u janë dërguar institucioneve përgjegjëse për cilësi në Hungari ku më pastaj janë përcjellë tek institucionet e Kosovës.


“Ne edhe prodhuesi ku furnizohemi i bënë analizat vazhdimisht. Ne i kemi analizat tona, prej momentit kur është paraqit ky problem. I kanë analizat edhe prodhuesi në Hungari dhe me ato analiza ai trajtohet dhe klasifikohet në grupin e dytë të familjes së qumështit”, thotë Rusinovci.


Ai tregon se edhe të dhënat e doganës, në bazë të dokumentacioneve me të cilat është importuar ky produkt tregojnë se Sole është regjistruar në kategorinë ku bëjnë pjesë produkte të familjes së qumështit dhe si i tillë është doganuar.


Megjithatë, brenda tregut të Kosovës AUVK-së thotë se ky produkt duhet të ndahet veç nga kjo familje për të mos i hutuar konsumatorët. Por, në kompaninë importuese Koral-Sole, thonë se të gjitha përshkrimet e nevojshme për konsumatorët janë në paketim dhe me këmbëngulje e mbrojnë produktin e tyre si qumësht. Përveç kësaj thonë se nuk mund tu përzihen në politikat menaxhuese supermarketeve, apo dyqaneve në të cilat shitet produkti i tyre se si i vendosin ato. /Indeksonline/