Nga Edvin Kukunja


 


Trinomi Qyteti-Sheshi-Qytetari nga njëra anë dhe Arkitektura dhe Urbanistika nga ana tjetër. Lëmi është i madh dhe ka nevojë për një qasje të shëndoshë dhe të bazuar mbi njohuri dhe zgjidhje të mirëmenduara e që kanë kaluar në sitën e madhe të diskutimit publik. Ndaj dhe ky diskutim do të mundohet të tregojë respekt maksimal ndaj këtyre fushave dhe çështjes që bie në juridiksionin e tyre. Gjithsesi, çështja në fjalë nuk është thjesht një çështje politike, apo urbanistike e më the e të thashë dhe ndaj e ndihem i lirë, si pjesëtar i shoqërisë ku jetoj, të them dhe unë atë çka mendoj.


Nëse gjuha është shtëpia e shpirtit, Qyteti është hapësira ku çdo njeri mund të shprehet, të ndërveprojë me të tjerët dhe të ndërtojë shtëpinë e trupit dhe të ëndrrave që e vënë në lëvizje atë si trup dhe identitet. Çdo çështje që ka të bëjë me Qytetin është lidhur në mënyrë të patjetërsueshme me çështjen e formimit të identitetit qytetar dhe si rrjedhojë me formimin e shoqërisë dhe të individit si element përbërës i saj.


Qytetaria nuk është më një cilësi apo thjesht tejzgjatje moderne e statusit “borgjez”, por është çelësi i zgjidhjes të shumë prej problemeve më bazike që kemi ne si shoqëri. Çdo problem i madh politik mbart në gjirin e tij, si thelb me shumë thelpinj, një problem të madh social. Dhe Qyteti është arena, Qyteti është skena ku luhet dhe çmbështillet ekzistenca e qenies në akte, gjeste dhe fjalë.


Por Qyteti ka një zemër! Ai ka një shpirt, një pikënisje ku përkojnë dhe lindin ëndrra të shumta. Thelbi i Tij është Sheshi: kjo hapësirë e pakufijtë dhe e zbrasur nga çdo pengesë e paragjykim. Kjo hapësirë është si një enë në qiell të hapur ku derdhen e përzihen, bashkë mpleksen për të mos u çmpleksur më elementët që formojnë identitetin e një shoqërie.


Sheshi ka arsyen e tij, ka kujtesën e tij nga e cila niset e lëvron dhe kjo arsye. Të ndërtosh një shesh nuk është një çështje teknike, burimesh materiale dhe njerëzore që mund të kërkojë realizimi i një projekti. Të ndërtosh një Shesh nuk është çështje që mund të identifikohet me koordinatat tani dhe ja ku është.


Rruga që përçon në realizimin e çdo projekti që ka për qëllim ndërtimin, ndryshimin e Sheshit është një fill i hollë dhe i padukshëm që kalon nëpër thellësirat e ndërgjegjes, në hapësirat e dëshirës dhe vullnetit, e ngjiz me këto substanca të nesërmen. Sheshi është, sheshi duhet të jetë medoemos, për shoqëritë që shikojnë drejt së ardhmes me përgjegjësi, produkt i një vizioni të qartë për atë çka duam të jemi nesër, pasnesër, pas një viti e pse jo dhe pas një shekulli.


Logjika e Sheshit, për ata që nuk e dinë ose që bëjnë sikur nuk e dinë, është logjika e dialogut, e ballafaqimit të ideve pa asnjë pengesë dhe ku vështrimi kap e përqafon çdo njërin prej nesh pa asnjë përjashtim. Kjo është logjika e Sheshit për ato shoqëri që janë të çliruara nga vargonjtë e babëzisë të pakicës në pushtet dhe nevojës për të fshehur mëkatet dhe krimet mbi të cilat është themeluar ky pushtet.


Ndërsa ajo tjetra, mos-arsyeja e së tashmes që dot nuk ndahet nga e kaluara, është logjika e pyllit. Logjika e asgjesimit të kundërshtarit nëpërmjet ngritjes së kurtheve, zënies pritë dhe të pabesisë. Kjo është logjika e atyre që nuk duan kurrsesi që njerëzit, që qytetarët ta rrokin njëri-tjetrin plotësisht e pa pengesa aspak. Logjika e pyllit është mos-arsyeja e së tashmes që nuk do kurrsesi, që nuk mund të lejojë kurrsesi që Qyteti-Sheshi-Qytetari të jenë trinomi i fortë mbi të cilin të ndërtohet identiteti i individit shqiptar dhe i shoqërisë shqiptare.


Logjika e Sheshit është e qartë dhe e thjeshtë. Ndërsa ajo tjetra, logjika e Pyllit, mos-arsyeja e së tashmes peng e së kaluarës është e errët, të rrëshket duarve sado që ti të rrekesh ta kapësh e të mundohesh ta kuptosh.


*respublica.al