Cilat janë 100 sipërmarrjet me fitime më të larta në vend për vitin 2016. Sektorët që fitojnë më shumë dhe ata që vuajnë për tu kënaqur me pak.


Nga Ornela Liperi


Të bësh biznes dhe të fitosh në biznes në Shqipëri, në shumicën e rasteve, duket se është më mirë të kesh fat, sesa aftësi. Fat, në kuptimin që të marrësh një koncesion, të fitosh një tender, të ndërtosh atje ku e sheh më të leverdishme, apo dhe të tundosh shqiptarët që të rrotullojnë ruletën apo vendosin baste, në pritje që të bëhen milionerë brenda një çasti.


Është ironike, por mjaft kuptimplotë, që në një vend të varfër dhe me papunësi të lartë, sektori me norma fitimi më të larta në vitin 2016 ishte ai i lojërave të fatit dhe kazinove, që u kthen mbrapsht sipërmarrësve rreth nga 30-50% të të ardhurave të realizuara.


Koncesionet janë një tjetër segment, ku kthimi është i garantuar dhe i lartë, teksa llogaridhënia është e ulët dhe kontratat vetëm ndryshojnë formë, por nuk prishen asnjëherë dhe rrallë arrihet që publiku të përfitojë më shumë nga ky rinegocim. Në të njëjtën linjë, kompanitë që punojnë me tenderë me sektorin publik, sërish dalin të kënaqura nga kjo marrëdhënie.


Ndërtimi është në një periudhë të mirë ciklike dhe po gjeneron fitime të larta, ndaj nuk është çudi që i gjithë kapitali i lirë po synon të bëhet sërish llaç e tulla. Qiradhënia po rezulton një tjetër sektor që mund të sjellë fitime të larta, ndonëse, jo për të gjithë.


Sipas të dhënave nga bilancet e kompanive, të përpunuara nga Monitor, 100 subjektet me fitim më të lartë në vend, fituan në total 62 miliardë lekë, ose 505 milionë euro. Kjo përbën 35% të të gjitha fitimeve të deklaruara në Shqipëri në 2016-n. (bazuar në tatimfitimin e paguar në 2016-n, fitimet totale të biznesit arrijnë në 194 miliardë lekë). Fitimet e 100 subjekteve janë sa 5% e asaj që prodhon ekonomia në një vit (Prodhimi i Brendshëm Bruto).


Fitimet e 100 më të mëdhenjve janë sa dyfishi i atyre që fituan në total mbi 93 mijë biznese të vogla, sipas të dhënave të përpunuara nga Monitor. Sipas Anketës Strukturore të Ndërmarrjes 2015 (e fundit e disponueshme), 93,376 subjekte me 1-4 punonjës raportuan fitime prej 38 miliardë lekësh.


10 sipërmarrjet me fitimin më të lartë në vlerë absolute


1-OSHEE


Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka fituar në vitin 2016 kurorën e të gjitha renditjeve, jo vetëm si kompania më e madhe në vend sipas të ardhurave (52 miliardë lekë), por edhe me fitimet më të larta. Sipas të dhënave nga Tatimet, fitimet e OSHEE nga aktiviteti arritën në 11.3 miliardë lekë, ose rreth 82 milionë euro. Në bilancin zyrtar, fitimi total i raportuar është 21 miliardë lekë, por që ka të bëjë me të ardhurat e jashtëzakonshme, ku efektin kryesor e ka dhënë rimarrja e provizioneve, me një verë neto prej 8,3 miliardë lekësh, që ka të bëjë kryesisht me efektet financiare të zbatimit të metodologjisë së llogaritjes së provizioneve të klientëve.


Rezultatet e kompanisë janë një tregues i qartë që OSHEE me strategjinë dhe hapat që po ndërmerr prej më shumë se 2 vitesh, është drejt një konsolidimi të plotë, si shoqëri publike për të arritur qëllimin final, sigurimin në mënyrë të plotë dhe të sigurt të misionit të saj të furnizimit të të gjithë klientëve të OSHEE me energji elektrike, në mënyrë cilësore dhe me çmime konkurruese në vend dhe rajon, ka pohuar më herët administratori i OSHEE-së, Adrian Çela.


2-3- BKT dhe Intesa


Pas OSHEE janë bankat që vijojnë në renditjen e sipërmarrjeve me fitime më të larta. BKT deklaroi një rezultat para taksave prej 8.5 miliardë lekësh (62 milionë euro), me një rritje prej 17% në krahasim me 2015-n. BKT është më e madhja në vend sa u përket aktiveve, depozitave dhe stokut të kredisë dhe në vite ka shënuar aktivitet të qëndrueshëm.


Intesa SanPaolo Bank renditet e treta, me fitime prej 2.8 miliardë lekësh (rreth 20 milionë euro), me rritje 4% me bazë vjetore. Intesa është banka e katërt në vend për nga madhësia e aktiveve (pas BKT, Raiffeissen, Credins), por rezulton një nga më fitimprurëset në sektor.


4- Tirana International Airport


Tirana International Airport (TIA), që menaxhon me koncesion Aeroportin e Rinasit, rezulton të ketë arritur një fitim rekord në 2016-n, duke u renditur e katërta në total. Sipas të dhënave të publikuara në bilanc, fitimi bruto (para taksave) i Tirana International Airport në vitin 2016 arriti në 2.3 miliardë lekë, ose rreth 17 milionë euro, me një rritje prej gati 16% në raport me vitin e mëparshëm. Ky është niveli më i lartë i fitimit që TIA ka arritur në vitin 2004, kur ka filluar aktivitetin në Shqipëri.


Norma e fitimit arriti në 44%. Kjo nënkupton që vitin e kaluar nga 100 lekë të ardhura, që TIA ka marrë nga taksat që ajo u ngarkon kompanive ajrore që fluturojnë nga Aeroporti i Rinasit, 44 lekë kanë shkuar si fitim për koncesionarin. Marzhi i fitimit ka ardhur në rritje të vazhdueshme. Në vitin 2015, ai ishte 41% dhe në 2013-n 35.5%, duke e bërë koncesionarin e aeroportit një prej kompanive më fitimprurëse në Shqipëri.


TIA, vitin e kaluar, u shit te kompania offshore REAL FORTRESS PRIVATE LIMITED, me seli në Singapor dhe në mars 2016, arriti të zgjaste dhe me dy vjet afatin e koncesionit me qeverinë shqiptare, në këmbim të hapjes së Aeroportit të Kukësit për fluturime ndërkombëtare. Por, ndonëse po mbushen dy vjet nga nënshkrimi i marrëveshjes, nuk ka asnjë dritë në horizont që Kukësi do të fillojë fluturime nga ndonjë linjë ndërkombëtare, ndërsa TIA vijon ti gëzohet fitimeve të larta, me afatin e koncesionit, që tashmë është zgjatur deri në vitin 2027.


5- SPIECAPAG Shqipëria


I pesti me fitime më të mëdha është një operator i ri në treg, i krijuar në shkurt 2016. SPIECAPAG Shqipëria është katapultuar menjëherë te kompanitë më të mëdha, sipas të ardhurave dhe fitimeve, me qarkullim vjetor prej 15 miliardë lekësh (rreth 110 milionë euro), ndërsa fitimi para taksave ishte 1.8 miliardë lekë (rreth 13 milionë euro). SPIECAPAG është një nga nënkontraktorët kryesorë të gazsjellësit TAP, që po ndërtohet në Shqipëri.


Objektet kryesore të veprimtarisë së shoqërisë janë dizenjo, inxhinieri dhe ndërtim, asistencë teknike për impiante dhe makineri të rënda, ndërtimi dhe mirëmbajtje e impianteve përkohësisht, përfshirë shërbime në terren. Një tjetër kompani e grupit është SPIECAPAG Transadriatica, e krijuar më korrik 2016, që ka si objektiv aktiviteti, ndërtimin e linjës furnizuese të gazsjellësit TAP. Kompania deklaroi fitime prej 200 milionë lekësh (1.5 milionë euro). SPIECAPAG, me seli qendrore në Francë, ka fituar kontratën për projektet inxhinierike, prokurimin dhe ndërtimin e një loti prej 185 km në Greqi, midis Kipoi dhe Kavala, si dhe dy lote në Shqipëri (215 km në total), nga Bilishti në Topojë (Fier).


6- Korporata Elektroenergjetike Shqiptare


Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), e cila tashmë administron vetëm asetet e kaskadës së hidrocentraleve në lumin Drin, ka arritur të mbajë nën kontroll shpenzimet, duke deklaruar rritje të fitimeve me 23% në 1.8 miliardë lekë. Rritja e fitimeve, sipas drejtorit të KESH, Agron Hetoja, erdhi nga mirëmenaxhimi, por edhe kushtet e mira hidrike. Por, ai paralajmëron se 2017-a nuk ka qenë kaq i mbarë për shkak të thatësirës dhe disa rregullimeve ligjore, që nuk i lanë KESH-it fleksibilitetin e duhur për të optimizuar burimet dhe portofolin e vet dhe kanë shkaktuar kosto shtesë, që nuk mbulohen nga çmimet e lëna në fuqi nga Enti Rregullator i Energjisë. Të dhënat e KESH tregojnë se, për 9-mujorin 2017, humbja neto e kompanisë ishte 4.2 miliardë lekë (31 milionë euro).


7- RFZ Building


RFZ Building, pjesë e grupit Balfin, me aktivitet në fushën e ndërtimit, ka hyrë për herë të parë ndër 10 më të mëdhenjtë. Fitimet e kompanisë u trefishuan në 1.4 miliardë lekë (mbi 10 milionë euro). Në dhjetor 2016, Kompania është përthithur nga zinxhiri i supermarketeve SPAR, po pjesë e grupt Balfin, si një mënyrë për ti dhënë sinergji dhe për optimizim fiskal sipërmarrjeve të grupit, teksa RFZ Building rezulton me fitime të larta, ndërsa rrjeti i supermarketeve SPAR është me humbje.


8- Kastrati sh.a.


Kastrati sh.a., që renditet sipërmarrja e dytë më e madhe në vend sipas qarkullimit vjetor, është e teta në listën e kompanive me fitime më të larta, me 1.3 miliardë lekë, me një rritje të lehtë prej 4% në raport me një vit më parë. Normat e fitimit të kompanisë kanë mbetur minimale, në rreth 3%, që është marzh karakteristik i sektorit të tregtimit me shumicë të karburanteve.


9- Apex-Al


Operatori i lojërave të fatit është një tjetër hyrje e re tek dhjetëshja, teksa ky biznes nuk po ndien krizë dhe po shënon rritje vit pas viti. Përpjekjet e qeverisë për ti dhënë fund kësaj marrëzie, duket se kanë ndikuar në drejtimin e kundërt. Fitimet e kompanisë ishin 1.3 miliardë lekë, me një rritje prej 22% me bazë vjetore.


10- Mane TCI


Mane TCI, me aktivitet në fushën e ndërtimit, është sërish një hyrje e re dhe kompania e dytë e grupit Balfin që renditet në dhjetëshe. Fitimet ishin 1.13 miliardë lekë, pothuajse trefishin në raport me vitin e mëparshëm.


Daljet


Nga renditjet e 10 më të mëdhenjve këtë vit ka dalë Raiffeisen, që ka rezultuar me humbje prej 2.4 miliardë lekësh, nga fitimet prej 4.1 miliardë lekësh në 2015-n. Një tjetër dalje është Aleat, koncesionari i pasaportave, fitimi i së cilës ka rënë me 31%, në 1 miliard lekë.




Marrë me shkurtime nga Monitor