Sekretarja amerikane e Shtetit, Kondoliza Rajs, paralajmëroi se Rusia po bëhet, siç u
shpreh ajo, gjithnjë e më shumë "autoritare dhe agresive”. 

Në një fjalim që mbajti sot në
Uashington, sekretarja Rajs tha se pushtimi kohët e fundit nga Rusia i
Gjeorgjisë nuk ka përmbushur ndonjë qëllim strategjik të qëndrueshëm.

Zonja Rajs tha se me sa duket, pushtimi
ishte i paramenduar. Ajo shtoi se udhëheqësit rusë përgatitën kushtet muaj më
parë, duke u dhënë pasaporta ruse separatistëve gjeorgjianë si dhe duke
trejnuar e armatosur milicitë e tyre.

Sekretarja amerikane e Shtetit tha se
Shtetet e Bashkuara e paralajmëruan Gjeorgjinë se Rusia ishte duke i rënë në
qafë Tbilisit dhe një formë e tillë, siç u shpreh zonja Rajs, do të dëmtonte
vetë Moskën”.

Ajo tha se qëllimi i Shteteve të
Bashkuara është t'ia bëjë të qartë udhëheqësve rusë se vendimet e tyre po e
çojnë Rusinë, sipas fjalëve të saj, "në rrugën e vetë-izolimit dhe mënjanimit
ndërkombëtar”.

Sekretarja amerikane e Shtetit tha se
Shtetet e Bashkuara dhe Evropa duhet t'i kundërvihen Rusisë, duke thënë se ky
vend nuk duhet të lejohet të përfitojë nga ky agresion.

Që Rusia të zhvillohet plotësisht,
theksoi zonja Rajs, ajo duhet të integrohet plotësisht sipas rregullave
ndërkombëtare politike dhe ekonomike. Ajo tha se Rusia është në "në një pozitë
të rrezikshëm: gjysma e integruar e gjysma jo.”

Në Moskë, Presidenti i Rusisë, Dmitri
Medvedev tha se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara mbeten parësore për Rusinë.
Ai tha se politikisht do të ishte dritë shkurtër të rrezikosh arritjet dhe
marrëdhëniet në të ardhmen, duke iu rikthyer ngjarrjeve të së kaluarës. //rd//