Sekretarja amerikane e shtetit Kondoliza Rajs ndodhet në Lindjen e Mesme në përpjekje për të nxitur bisedimet e paqes, megjithëse mundësitë për një zgjidhje janë të pakta.


Zonja Rajs arriti në Izrael sot për të filluar tre ditë bisedime me udhëheqësit izraelitë dhe palestinezë. Ajo do të përpiqet të nxisë synimin amerikan për arritjen e një marrëveshjeje të paqes para se presidenti Bush të largohet nga Shtëpia e Bardhë në janar 2009.


Bisedimet e paqes kanë ngecur për shkak të sulmeve palestineze me raketa nga Rripi i Gazës dhe zgjerimet e vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor dhe Jeruzalemin lindor.


Presidenti palestinez Mahmud Abas kritikoi zgjerimin e vendbanimeve në një fjalim të mbajtur sot në takimin e vendeve arabe në Siri. Ai tha gjithashtu se pak muajt e ardhshëm do të jenë vendimtarë për arritjen e një marrëveshjeje të paqes me Izraelin. //rd//