Sekretarja amerikane e Shtetit ka mbërritur për një vizitë në Libi, e cila konsiderohet historike, pasi një sekretar amerikan shteti nuk ka shkelur në Libi që në vitin 1953. “Vizita ime tregon se Shtetet e Bashkuara nuk kanë armiq të përhershëm”, ka deklaruar Rajs, sapo ka shkelur në Libi. Rajs pritet të takohet më liderin libian, Gedafi, duke shënuar rihapjen e kontakteve diplomatike pas 55 vitesh tensioni. “Ky është një kapitull i ri i marrëdhënieve bilaterale”, ka komentuar zëdhënësja e Xhorxh Bush, Dana Perino. Në vitin 1981, kur marrëdhëniet me Libinë u prishën plotësisht, Ronald Regan e përkufizoi kolonelin Gedafi si “një qen i çmendur”, ndërsa 5 vite më vonë bombardoi Tripolin. Në vitin 1988 libianët shpërthyen një avion të linjës Londër-Nju Jork duke vrarë 270 persona. Më parë Sekretarja amerikane e Shtetit, Kondoliza Rajs ndodhej në Lisbonë, ku duke diskutuar për krizën në Gjeorgji, ka theksuar se Kosova dhe Gjeorgjia janë dy situata të ndryshme. “Në radhë të parë, Kosova ka qenë një situatë unike, që lindi pas shpërbërjes së Jugosllavisë”, tha Rajs, duke shtuar se shpallja e pavarësisë së Kosovës u bë pas një procesi të gjatë. “Nuk duhet të lejojmë paraqitjen e argumenteve të tilla”, ka thënë Rajs në një konferencë për gazetarë pas takimit me ministrin e Jashtëm të Portugalisë Luis Amado. Sipas “Reuters”, shefi i diplomacisë portugeze ka thënë se në disa analiza është bërë paralele ndërmjet Kosovës dhe Gjeorgjisë, mirëpo ai konsideron se fjala është për situata të ndryshme.