Sekretarja amerikane e Shtetit, Kondoliza Rajs, ka vizituar dje Bagdadin në një vizitë të paparalajmëruar.

 Duke i shprehur përgëzimet e palës amerikane për përpjekjet e qeverisë në fushën e sigurisë, kryesisht për kryeministrin irakian, Nuri al–Maliki, Rajs tha se, ajo ka ardhur në Irak për të ndihmuar në promovimin e pajtimit ndërmjet grupimeve. Vizita e saj u bë një ditë pasi kleriku shiit, Moqtada al-Sadr u kërcënua me ndërmarrjen e “një lufte të hapur” kundër qeverisë së Irakut, që mbështetet nga Shtetet e Bashkuara, nëse forcat irakiane dhe ato amerikane nuk i ndalin operacionet kundër militantëve të tij në Armatën Mehdi. Në një deklaratë në internet, Sadr tha se ai i bën “paralajmërimin e fundit” qeverisë irakiane, që të zgjedhë “rrugën e paqes”, ose të përballet me një kryengritje të tretë nga ana e ithtarëve të tij. Deklarata e tij vjen në kohën e përleshjeve të vazhdueshme ndërmjet trupave amerikane e irakiane dhe milicëve.