TIRANE-I plagosuri nga protesta e 21 janarit, Aleks Nika vijon të jetë në repartin e reanimacionit në Spitalin Ushtarak. Gjendja e tij sipas mjekëve vijon të jetë kritike, edhe pse dje ka dhënë shenja pozitive sepse nuk ka pasur fryrje të trurit dhe as hemorragji. Familjen e Aleksit, të dielën vonë në darkë i ka vizituar edhe kreu i Partisë Socialiste Edi Rama, i cili u ka shprehur keqardhjen për atë çfarë u ka ndodhur, por u ka ofruar edhe ndihmë për nxjerrjen jashtë shtetit për kurimin e Aleksit. “Të dielën në darkë, pas orës 22:00, në mos gaboj për orën, ka ardhur për vizitë kreu i Partisë Socialiste, Rama. Takoi mjekët dhe ata e shoqëruan në sallën e reanimacionit ku vizitoi nipin tim. Më pas kur na takoi ne familjarëve, na ofroi ndihmën e tij dhe tha se e merrte përsipër anën financiare për ta nxjerrë jashtë shtetit Aleksin për kurim apo për t’i bërë operacionin”, - ka treguar xhaxhai i Aleksit, Mark Nika. Sipas tij, ata nuk kanë vendosur ta lëvizin jashtë shtetit pasi edhe transporti nuk i bën mirë gjendjes shëndetësore në të cilën ndodhet nipi i tij. “Stafi i mjekëve që po merret me Aleksin janë shumë të mirë, por siç na ka thënë edhe shefi i pavijonit Fatos Olldashi, transporti tani për tani nuk i bën mirë. Ndaj ne nuk kemi marrë asnjë vendim për ta nxjerrë jashtë vendit”, - ka treguar xhaxhai i 36-vjeçarit nga Lezha.
Babai i dy vajzave, i cili i është bashkuar për kuriozitet demonstratës së organizuar nga opozita, prej së premtes është në gjendje kome në Spitalin Ushtarak. “Në Tiranë, Aleksi ka mbërritur në orën 15:30, sepse në mesditë ka qenë duke ngrënë drekë me familjen. Nuk dimë çfarë të mendojmë për këtë që ka ndodhur, përse e kanë qëlluar. Sepse ai nuk kishte fare të bënte me këtë gjë, është bashkuar me protestuesit shumë vonë, së bashku me dy shokët e tij pasi panë në televizion se çfarë po ndodhte”, - tregon një prej motrave të tij.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)