Aristir Lumezi

Kryetari i PS Edi Rama akuzoi dje kryeministrin Sali Berisha se po punon vetëm për interesat e familjes së tij. Gjatë një takimi që zhvilloi dje në Rrogozhinë, ku Rama prezantoi programin qeverisës të PS-së, akuzoi pas shumë kohësh kryeministrin Berisha nisur dhe nga faktet e fundit të bërë publike përmes mediave.  “Nuk do qeverisim për interesa familjesh të vogla, por për interesin e familjes së madhe shqiptare. Sali Berisha qeveris vetëm për një pakicë njerëzish. Qeveris duke u nisur nga interesat e familjes së tij dhe duke mos parë interesat e familjes së madhe shqiptare, e cila sot gjendet padrejtësisht larg Evropës, ku ne të gjithë duam të bëjmë pjesë. Ky është dallimi mes nesh dhe atij. Për këtë dallim, ju dhe të gjithë shqiptarët dhe shqiptaret që duan ndryshimin, do të votoni në 28 qershor, ndryshimin që ne do të bëjmë realitet më 28 qershor”, tha Rama. Sipas tij, ndryshimi që do të fillojë me votën e shumicës shqiptarëve e shqiptareve, pas më pak se 50 ditësh, është ndryshimi që do të vijë drejtpërdrejt në jetën e secilit prej jush. Është ndryshimi që do të hapë një faqe në historinë tonë dhe të cilën do ta shkruajmë së bashku. Një faqe e re e qeverisë së njerëzve, të qeverisjes me njerëzit dhe të qeverisjes për njerëzit. Gjatë fjalës së tij, Rama atakoi Kryeministrin Berisha për demagogji dhe padituri, në lidhje me atë çka ofron qeveria e tij për familjet në nevojë, duke anatemuar një prej vendimeve të qeverisë të miratuar dje paradite. Bëhet fjalë për vendimin e qeverisë për libra falas për familjet me ndihmë ekonomike. Dhënia e librave me skemën jo funksionale të rimbursimit tha Rama ka bërë që të shtohet analfabetizmi dhe numri i atyre që braktisin shkollën për shkak të pamundësisë për të blerë libra. Kjo është e pafalshme, nënvizoi kreu socialist, pasi Shqipëria nuk duhet të jetë nënë për disa e njerkë për disa fëmijë të tjerë. “Është tronditëse që Kryeministri i vendit, në fund të mandatit të tij nuk e dinte se abetaret dhe librat e shkollës qeveria ua shiste fëmijëve. Për këtë, fëmijë të varfër të këtij vendi nuk shkonin dot në shkollë, duke mos e ditur akuzonte opozitën se gënjen dhe thoshte me të madhe se librat jepeshin falas. Ja ku doli dhe tha, se me një vendim të qeverisë, librat do të jepen falas. Sali Berisha qëndron i mbyllur në kutinë e televizorit, nga ku premton gjëra që as që ka ndërmend t’i mbajë, qysh se i thotë dhe jo më që nuk i mban dot edhe sikur të përpiqet”, tha Rama. Kryetari socialist shoqërohej në këto takime nga sekretari për programin Andis Harasani dhe nënsekretari Ilir Beqja. Gjatë takimit në Rrogozhinë, kreu socialist, Edi Rama nënvizoi se qeverisja e nesërme e pas 28 qershorit do të jetë ashtu si në dy vite dialog, pranë njerëzve, duke marrë vendime në konsultim me grupet e interesit, por edhe me njerëzit në çdo cep të vendit.