Kryetari i PS, Edi Rama, në fjalimin e mbajtur në protestën e opozitës ka deklaruar se ajo synon rrëzimin e korrupsionit që grabiti votat më 28 qershor.

Gjatë fjalës së tij, Rama ka hedhur akuza të ashpra ndaj kryeministrit, i cili sipas tij po qeveris si një regjim fashist duke detyruar punonjësit e administratës të dalin në protestë.

“Ndjeva revoltën e shkaktuar nga manifestime fashiste, pasi vetëm në regjimet fashiste, komuniste dhe pa liri e të drejta mund të merren individët dhe të kthehen në turma. Mund të shkruhen njerëzit detyrimisht në lista ku firmosin para dhe pas, sepse kështu funksionon logjika e mbrapshtë e sundimit në vend të mirëqeverisjes”, ka deklaruar Rama.

Kreu i PS ka vlerësuar grevistët të cilët kanë hyrë në ditën e pestë të saj, duke ritheksuar edhe njëherë se ajo nuk do të ndalet pa u realizuar transparenca zgjedhore.

“U përulem të gjithë atyre që janë në këtë cadër, sepse janë fuqia e madhe që udhëheq këtë protestë pa ndalim”, ka theksuar Rama, i cili ka paralajmëruar një tjetër protestë masive ditën e diel, për të rrëzuar sipas tij regjimin fashist të Berishës, në ditën e Europës.

“Sot është 5 maji, një ditë e shënuar, ditën e diel është 9 maj, dita e Europës dhe fitores mbi fashizmin. Të dielën në 9 maj, në orën 10 të gjithë janë të ftuar të vijnë këtu për të dëshmuar se ne jemi këtu për Europën, për liri dhe të drejta, për të cilat Europa ka luftuar me të gjitha mjetet dhe format dhe për të cilat edhe ne dëshirojmë të jemi bashkë me Evropën”, është shprehur Rama.

Lideri i opozitës ka shtuar më tej se nuk ka asnjë vendim gjykate që pengon transparencën e zgjedhjeve përmes hapjes së kutive, në të cilat sipas tij fshihet “arma që vrau zgjedhjet”.

“Ku është vendimi i gjykatës? Ku janë të shkruara të zezë mbi të bardhë fjalët e thëna prej gjykatësve, në cilën gjykatë, për cilin rast, se kutitë nuk mund të hapen? Nuk ka vendim gjykate që pengon transparencën e kutive, s’ka Kushtetutë që pengon transparencën e kutive. Atë e pengon vetëm pushteti që mban në ato kuti të fshehur armën që vrau zgjedhjet e shkuara dhe mban peng të ardhmen tonë”, ka shtuar Rama.