Kreu socialist mbështet deklaratën e OSBE-së për hetimin e plotë të zgjedhjeve. Konfirmon se opozita është në Kuvend, sapo Berisha ta pranojë këtë




Kreshnik KUçAJ


Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, konfirmoi gatishmërinë e grupit të tij parlamentar për t’u futur në Kuvend sapo kryeministri Sali Berisha të lejojë hetimin e plotë e të pakushtëzuar të zgjedhjeve të 28 qershorit. Duke reaguar ndaj deklaratës së kreut të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Joao Soares dhe ndaj takimit që zhvilloi dje me të, Rama tha se është rënë dakord se hetimi parlamentar nuk mund të kushtëzohet. “Mikpritja e shkëlqyer që na rezervoi dhe dëgjimi shumë i vëmendshëm i pikëpamjes sonë për krizën e rëndë në Shqipëri meritojnë falënderimin tonë publik për presidentin Soares. Ne jemi plotësisht e tërësisht në një mendje me sa shkruhet në këtë deklaratë, lidhur me ndërmarrjen e një hetimi të plotë e tërësor të zgjedhjeve, bazuar në Kushtetutën dhe vendimin përkatës të Gjykatës Kushtetuese për hetimin parlamentar.


Kjo është gjithçka kërkojmë dhe jam i lumtur të them se me presidentin Soares ramë gjithashtu në një mendje, që hetimi parlamentar as mund të kufizohet e as mund të kushtëzohet”, tha Rama në daljen për mediat pasditen e djeshme. Kreu socialist pranoi se Soares ka kërkuar kthimin e opozitës në Kuvend, por nga ana tjetër rishprehu vullnetin e tij dhe të forcës që drejton për ta mbyllur bojkotin me t’u mbyllur përpjekja e qeverisë për ta kufizuar e kushtëzuar komisionin hetimor parlamentar, duke nxjerrë kutitë e votimit nga objekti i hetimit. “Demokracia shqiptare nuk është në krizë, sepse opozita është në bojkot. Ne jemi në bojkot, sepse demokracia është në krizë. Dhe fundi i kësaj krize fillon me transparencën e plotë, tërësore, të pakufizuar e të pakushtëzuar të zgjedhjeve. Jo për të ndryshuar rezultatin, por për të shembur sistemin e korrupsionit elektoral”, tha më tej Rama. Sipas tij, tashmë e tërë bota kërkon hetim të zgjedhjeve dhe vetë OSBE-ja që ka shkruar raportin e zgjedhjeve dje ka kërkuar publikisht që zgjedhjet të hetohen plotësisht e tërësisht. “Uroj me gjithë zemër që qeveria dhe përkatësisht zoti Berisha t’i dëgjojë kambanat që bien nga të katërta anët, përpara se kriza të bëhet e padurueshme për popullin”, përfundoi Rama. Kreu socialist ishte dje për një vizitë zyrtare në Vjenë, ku mori pjesë në punimet e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së. Në këtë takim Rama shoqërohej nga sekretarja për Marrëdhëniet me Jashtë në PS, Arta Dade. Qëllimi i vizitës së përfaqësuesve socialistë ishte pikërisht njohja e institucionit monitorues të zgjedhjeve me kërkesat dhe argumentet e Partisë Socialiste Shqiptare për nevojën e hetimit të plotë e të pakushtëzuar të zgjedhjeve.





SHBA: Tryeza e Topit, e rëndësishme për zgjidhjen e krizës


Presidenti Bamir Topi u takua dje në Kroaci me nënsekretarin amerikan të Shtetit, Xhejkob Lju, të cilin e njohu edhe me situatën politike në Shqipëri, ku mazhoranca dhe opozita kanë nisur dialogun në tryezën e presidentit për zgjidhjen e krizës politike. Referuar burimeve zyrtare të Presidencës, gjatë bisedimeve u vlerësua se mbledhja e tryezës është një hap konkret dhe pozitiv, që dëshmon rifillimin e dialogut politik, por edhe vullnetin e palëve për gjetjen e një zgjidhjeje konstruktive. Presidenti i Republikës u shpreh se është i angazhuar institucionalisht e personalisht të kërkojë e të gjejë pikëtakimet mes mazhorancës e opozitës. Në këtë pikë, nënsekretari amerikan i shtetit çmoi përpjekjet e Presidentit të Republikës, duke i konsideruar si shumë të rëndësishme për rifillimin e dialogut politik dhe rivendosjen e legjitimitetit e funksionimin e institucioneve demokratike. Po ashtu, në këtë takim u vlerësua edhe roli i Shqipërisë në rajon, ashtu si edhe ecuria e shtetit të ri të Kosovës. Duke vënë në dukje faktin se Kosova festoi dyvjetorin e Pavarësisë së saj, presidenti Topi shprehu mirënjohjen e shtetit dhe të mbarë popullit shqiptar për qëndrimin e SHBA-ve ndaj çështjes së Kosovës. Kryetari i Shtetit nënvizoi rolin moderator të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar në rajon, për ruajtjen dhe forcimit e paqes e qëndrueshmërisë afatgjatë në Ballkan, gjë që u vlerësua edhe nga zoti Xhejkob Lju. “Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe krijimit të një shteti të ri shumetnik e demokratik që respekton të drejtat e të gjitha pakicave, rajoni i Ballkanit është projektuar i tëri drejt integrimit euroatlantik”, tha Topi. Nëpërmjet nënsekretarit amerikan të Shtetit, zotit Lju, presidenti Barak Obama dhe sekretarja e Shtetit amerikan, Hilari Klinton i përcollën presidentit Topi përshëndetjet miqësore, si dhe vlerësimet për partneritetin dhe kontributin e Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar. Kreu i shtetit shqiptar ndodhej për një vizitë zyrtare në Kroaci, në kuadër të ceremonisë së inaugurimit të presidentit të ri kroat, Ivo Josipoviç.





Berisha: Deklarata e Soaresit të shërbejë si shtysë për marrëveshjen


Kryeministri Sali Berisha reagoi pas deklaratës së kreut të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Joao Soares, për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit, duke shprehur gatishmërinë e tij për t’i dhënë opozitës shumicën në komisionin hetimor të zgjedhjeve të 28 qershorit. Duke folur në Kuvend, Berisha përsëriti qëndrimin e shprehur edhe më parë, kur tha se hetimi duhet të jetë në respekt të plotë të Kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Duke vlerësuar deklaratën e kreut të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Berisha tha se ajo duhet të shërbejë si shtysë për arritjen e një marrëveshjeje në tryezën e negociatave të organizuar nga kreu i shtetit. “Deklarata nga kryetari i asamblesë së OSBE-së, personalitet i shquar me prirje socialiste, duhet të jetë një nxitje për suksesin e tryezës, nga e cila me të vërtetë mund të dilet, me bindjen time më të thellë, me rezultate plotësisht të prekshme, rezultate që bëjnë të mundur kthimin e opozitës në parlament”, tha Berisha. Sipas tij, në dokumentet ndërkombëtare, në asnjë rast nuk kërkohet që në komisionin parlamentar opozita të ketë shumicën. Por kreu i qeverisë tha se mazhoranca e tij është e gatshme që ta bëjë këtë lëshim, në mënyrë që opozita t’i marrë garancitë për të hetuar plotësisht në respekt të Kushtetutës dhe të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.