Pas mbledhjes së qeverisë, të mbajtur këtë herë në qytetin e Elbasanit, kryeministri Edi Rama në një deklaratë për mediat bëri me dije problemet dhe vendimet e marra. Rama tha se rruga Elbasan-Tiranë do finalizohet brenda vitit.


Gjithashtu kryeministrit theksoi se do të transformohet edhe metalurgjiku i Elbasanit dhe veç kësaj fshatrat e këtij qyteti do të përfitojnë shumë nga projektet turistike.


Jemi të angazhuar dhe të vendosur që të finalizojmë rrugën e Elbasanit brenda këtij vitit dhe të lidhet përmes kësaj rruge të re Elbasani me Tiranën. Është e rëndësishme që po finalizohet një aks i ri rrugor i nisur në mandatin të parë. Kemi diskutuar edhe për projektin e transformimit të zonës së ish-metalurgjikut, një tjetër gangrenë e të shkuarës, ku jemi shumë të fokusuar në çuarjen përpara të kompleksit të parqeve industriale. Elbasani do të jetë një prej qarqeve që do të përfitojë më shumë nga projektet turistike, pasi ka zona fantastike që kanë nevojë për ndërhyrje, deklaroi kryeministri nga Elbasani.


Nga Elbasani, ku Rama ka mbledhur sot qeverinë tha se ky qark do të jetë një prej qarqeve që ka përfitueshmëri më të lartë nga programi i fshatrave turistikë. Janë 8 fshatra.


“Kemi dy probleme, të trashëguara, dy gropa, të cilat kemi bërë përpjekje për ti mbushur, por ende nuk i kemi mbushur plotësisht. Qoftë për arsye të marrëzive të të shkuarës së largët, qoftë për arsye të shfaqje të babëzisë të së shkuarës së afërt. Kam parasysh rrugën Elbasan-Tiranë dhe rrugën Qukës Qafë – Plloçë. – vijoi kryeministri. – Projekte skandaloze, kontrata skandaloze, menaxhim skandaloz dhe rritje kostosh skandaloze. Sidoqoftë ajo çka ne jemi angazhuar dhe jemi të vendosur të realizojmë është që rruga më në fund të finalizohet brenda këtij viti. Pra të hapet përfundimisht dhe të lidhet Elbasani me Tiranën. Ndërkohë që të ecet me segementin Qukës- Qafë Plloçë.


13 mars 2018 (gazeta-Shqip.com)