TIRANE- Në Kuvend së shpejti do të shqyrtohet reforma ligjore për rendin publik dhe do të ngrihet Byroja Kombëtare e Hetimit. Këtë bëri të ditur dje nga podiumi i legjislativit shqiptar kryeministri Edi Rama. “Kemi trashëguar policinë me moshën më të lartë në Evropë dhe me nivelin më të ulët arsimor. Sot ndjehet se keni përkeqësim të ndjeshëm sidomos në fytyrë. Aktet terrorizuese të goditjes me tritol janë për të kuptuar se reagimi i shtetit duhet të jetë shumë më kompleks se thjesht reagimi i policisë së shtetit. Siç thotë kryebashkiaku i Nju Jorkut R. Xhuliani, ka të bëjë me kohën që i duhet rendit ligjor të organizohet siç është i organizuar krimi.

Së shpejti në Kuvend do të shqyrtojmë reformën ligjore për rendin publik dhe do ngrihet Byroja Kombëtare e Hetimit, për të cilat po punojmë ngushtësisht dhe jemi në përfundim me partnerët tanë”, tha Rama. Kryeministri s’anashkaloi as SHISH dhe punën e tij. “Niveli i shërbimeve inteligjente shqiptare, jo vetëm i SHISH-it që ngrihet mbi një ligj të vitit ’98, që nuk përmbush më nevojat për të përballur sfidat e kohës, duhet ngritur në një shkallë tjetër”, tha Rama. “Në fakt ju bëni sikur vajtoni tërë bukuritë që i latë këtij vendi me përkushtim e ndërshmëri 8 vjet me rradhë.

Është diçka tjetër që e vajtoni thellë, humbjen e pushtetit të korruptuar deri në palcë, të kontrollit mbi librat e shtetit dhe të çdo kompanie private, të çdo force policore që e bëtë një me forcën e krimit. Nuk e keni idenë sa ashik e tregoni këtë, kur flisni për serverin e tatimeve”, tha Rama, ku serverin e të dhënave e ka cilësuar një han elektronik pa dyer dhe dritare. “Lëre si ju duket në fytyrë, si ju ndjehet në fytyrë vuajta dhe sikleti. Duket sikur gjithë natën ruani të plasë diku tritoli e të dilni më vrap të kërcënoni jo krimin por policinë. Nuk i bëni thirrje kurrë policisë të zbardhë ngjarjen, por i kërkoni Ministrit të Brendshëm të japë dorëheqjen.

Madje, vetëm gjysmë ditë, pas operacionit spektakolar të policisë, që zbuloi një pjesë të konsiderueshme të botës së zezë të tritolit, meazallah se heshtët, se për të thënë ndonjë fjalë inkurajuese për policinë, nuk pret kush nga ju. Ju bëni politikë me krimin. Politika juaj e frymëzon krimin. Është zgjedhja juaj, mbase nuk keni zgjedhje tjetër me tërë ato gjynahet e shtetit tuaj që e kanë lënë pa gjumë plakun”, tha Rama.


Shkrimi u publikua sot (31.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)