Kryeministri Edi Rama deklaroi se platforma e bashkëqeverisjes nuk mund të zgjidhë rastet kur qytetarët janë në procese të zvarritura gjyqësore.


Sipas tij, platforma nuk është gjykatë, por është zgjidhja për çdo rast dhe çështje që lidhet drejtpërdrejt me detyrimet e zyrave të shtetit.


Gjithashtu Rama bëri me dije se nga e mërkura e javës tjetër, përveç rasteve të zgjidhura, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjoni, si kryesuese e Task-Forcës do të prezantojë edhe procedimet përkatëse për përgjegjësit e çështjeve të zvarritura.


Këto deklarata Rama i bëri në takimin e përhershëm me koordinatorët e bashkëqeverisjes,


Ju falenderoj sepse, pasi e keni zgjidhur problemin tuaj që ka kërkuar shumë kohë, keni marrë mundimin të vini deri këtu, duke na ndihmuar që të ndihmojmë shumë të tjerë që njësoj si ju presin të marrin përgjigje në zyrat e shtetit, por janë mosbesues lidhur me efikasitetin e platformës së bashkëqeverisjes.


Ajo që ka rëndësi të theksohet është se raste të mbetura pezull për vite, me kosto të mëdha, jo vetëm financiare por edhe morale, pasohet me një hetim administrativ. Përgjegjësit do të marrin ndëshkimin e merituar. Nga sot, çdo të mërkurë, paralelisht me rastet e zgjidhura, me ministren e Drejtësisë do të bëjmë me dije rastet e ndëshkimit dhe përgjegjësit, deklaroi Rama.


19 shtator 2018 (gazeta-Shqip.com)