Tepelenë - Kandidatët e Partisë Demokratike nuk i duhen as dreqit. Deklaratën e bën kryeministri Edi Rama gjatë takimeve elektorale në Tepelenë.

Ai prezantoi atje Tërmet Peçin, i cili synon mandatin e kryebashkiakut të Tepelenës.

"Sigurisht që ne jemi në pluralizëm dhe bëjmë zgjedhje demokratike dhe pluraliste, ku ka edhe kandidatë të tjerë. Por këta kandidatët e tjerë që keni këtu ju, nuk i duhen as dreqit, jo Tepelenës. Kandidatët e Partisë Demokratike, ta fillojmë një herë me këta, pastaj ta vazhdojmë me atë tradhtarin, janë vendosur nga SHQUP-i jo për të bërë punë për qytetet, por për t'i marrë peng qytetet dhe për t'i dhënë oksigjen SHQUP-it që, siç e shikoni, nxjerr vetëm grahma dëshpërimi anekënd Shqipërisë dhe mundohet të mbledhë vota, duke përfituar nga pakënaqësia e shumë njerëzve që ende janë të varfër, ende janë të papunë, por nuk janë budallenj që të hanë propagandën e SHQUP-it. Për më tepër, këta kandidatë janë vendosur që, po gjetën ndonjë komunitet qorrash që t'i votojnë dhe t'i vendosë në krye të bashkisë, të mos bëjnë asnjë punë, por vetëm të dalin aty tek bashkia e të thotë qeveria na ka bllokuar, qeveria nuk na ndihmon, qeveria nuk na do, me shpresën se në 2017-n do ta kthejnë qytetin, në një burim pakënaqësie për qeverinë. E çfarë ju duhen këta, juve?", tha kryeministri.

Duke u ndalur tek premtimet, Rama tha se Tepelena ka nisur të marrë frymë në vetëm 18 muaj. "Unë ju siguroj se çfarë ka ndodhur në Tepelenë gjatë këtyre 18 muajve është vetëm fillimi in një zinxhiri projektesh, që do të vazhdojnë me shtrirjen më tutje dhe kthimin në një rrugë të standardeve të qyteteve të bukura të Mesdheut, të bulevardit kryesor, që do të shtrohet me gurë dhe do t'u kthehet qytetarëve, pastaj, me lidhjen me të njëjtat standardet, siç është bërë rruga para spitalit, të pjesës poshtë me pjesën lart dhe me spitalin të dy rrugëve kryesore që lidhin qytetin me spitalin. Pastaj me radhë për shkollën, për mjediset çlodhëse për më të moshuarit, për mjediset sportive për me rinjtë", deklaroi.

Përballë kritikave të shumta për aksionet e ndërmarra, kryeministri tha se reformat janë operacione dhe ilaçe të domosdoshme për të rimëkëmbur trupin e vendit. "Dhe kjo është edhe arsyeja pse shumica dërmuese e vendit i mbështet këto reforma dhe e mbështet qeverinë. Kjo është edhe arsyeja se pse shumica dërrmuese e qytetarëve dhe qytetareve të Tepelenës do të votojë Tërmetin për një fitore "publicitare". Fitore "publicitare", që ta marri veshë e tërë Shqipëria dhe të marrë shembull nga Tepelena dhe nga Tërmet Peçi", vijoi.