Të tjera rreth shkrimit VIDEO

TIRANE - Përmes një postimi në Facebook, Kryeministri Edi Rama i referohet arrestimeve të bëra ndaj vjedhësve të energjisë elektrike, duke theksuar se edhe gjykata po lëviz në drejtimin e duhur duke lënë në burg fajtorët.

“Të dhënat e Operacionit Kundër Vjedhjes së Energjisë jane mjaft inkurajuese. Më në fund edhe në gjykata diçka po lëviz në drejtimin e duhur në këtë fushë. Jo pak vjedhës të energjisë po mbeten në burg”- shprehet Kryeministri

Nga ana tjetër shefi mazhorancës shprehet se aksioni i ç’rrënjosjes së sistemit nga vjedhësit e energjisë dhe abuzuesit, nuk do të reshtë derisa të jetë zhdukur si fenomen.

“Nuk janë të varfërit shkaku i shkatërrimit që ka sjellë vjedhja e energjisë për vendin e për shoqërinë tonë, po janë ata që e vjedhin energjinë edhe pse i kanë lekët për të paguar - në radhë të parë ata që kanë biznese të mëdha e njësi tregtare dhe janë mësuar të paguajnë sa një konsumator familjar. Prandaj edhe Operacioni Kundër Vjedhjes së Energjisë është fokusuar në këtë fazë të parë pikërisht tek vjedhësit e mëdhenj e të kamur. Së bashku me bashkëpunëtorët e tyre brenda kompanisë ata po arrestohen dhe çohen përditë përpara drejtësisë. Ky operacion nuk ka ndalim as mbarim, deri ditën kur ky fenomen skandaloz dhe shkatërrues i vjedhjes së energjisë nga të katër anët, të jetë zhdukur në çdo cep të Shqipërisë”, thotë kreu i qeverisë. 

Halimi: Rama i lumtur me Gjykatat sepse jane ne anen e tij
Pas këtyre deklaratave deputeti demokrat, Eduard Halimi, edhe ai përmes rrjetit social gjen rastin që të ironizojë me kryeministrin, duke u shprehur se ky i fundit është i lumtur me gjykatat sepse kanë lënë në burg të akuzuarit prej tij. Sipas Halimit reforma që kërkon Rama për drejtësinë është pikërisht arrestimi i të padëshiruarve prej tij dhe pushtetit të tij.

“Sot Rama lajmëroi se ishte i lumtur me gjykatat pasi ata kishin lënë në burg të akuzuarit prej tij dhe po lëviskan në drejtimin e duhur!! Para disa ditësh në kuvend tha se Gjykatat Administrative po e merrnin në qafë shtetin se po mbanin anën e qytetarëve dhe jo të qeverisë. Ndaj nuk i donim-tha- gjykatat administrative!!! Kjo është reforma që kërkon Rama për drejtësinë: po futen në burg qytetarët dhe kundërshtarët janë burra të mirë, po mbajtën anën e qeverisë janë në rrugën e duhur dhe Rama është i lumtur, po nuk mbajtën anën e tij janë banditë, kriminelë, hajdutë!!”, shkruan Halimi.


Statusi i plote ne Facebook i kryeminsitrit Rama

PROGRES I PËRDITSHËM NË LUFTËN ME HAJDUTËRINË E ENERGJISË ELEKTRIKE

Të dhënat e Operacionit Kundër Vjedhjes së Energjisë jane mjaft inkurajuese. Më në fund edhe në gjykata diçka po lëviz në drejtimin e duhur në këtë fushë. Jo pak vjedhës të energjisë po mbeten në burg! Por ka ende shumë shumë për të bërë që ky krim i toleruar për njëzet vjet rresht, me pasoja shkatërruese në arkën e shtetit po edhe në buxhetin e familjeve që paguajnë rregullisht, të zhduket njëherë e mirë si fenomen i turpshëm për vendin e për shoqërine tonë. 

Pensionistët kryefamiljarë si edhe personat me aftësi të kufizuar, pjesët më të dobëta të zinxhirit shoqëror, hyjnë tek paguesit më të rregullt të energjisë elektrike në vite. Ky fakt kuptimplotë u heq çdo justifikim atyre që mundohen më kot të justifikojnë vjedhjen e energjisë me varferinë. Nuk janë të varfërit shkaku i shkatërrimit që ka sjellë vjedhja e energjisë për vendin e për shoqërinë tonë, po janë ata që e vjedhin energjinë edhe pse i kanë lekët për të paguar - në radhë të parë ata që kanë biznese të mëdha e njësi tregtare dhe janë mësuar të paguajnë sa një konsumator familjar. 

Prandaj edhe Operacioni Kundër Vjedhjes së Energjisë është fokusuar në këtë fazë të parë pikërisht tek vjedhësit e mëdhenj e të kamur. Së bashku me bashkëpunëtorët e tyre brenda kompanisë ata po arrestohen dhe çohen përditë përpara drejtësisë. Ky operacion nuk ka ndalim as mbarim, deri ditën kur ky fenomen skandaloz dhe shkatërrues i vjedhjes së energjisë nga të katër anët, të jetë zhdukur në çdo cep të Shqipërisë. 

Rreth 200 mijë familje në nevojë do të marrin shtesë pensioni, shtesë ndihme ekonomike apo shtesë në pagën e aftësisë së kufizuar, për të mos e ndjerë asnjë grimë heqjen e fashës 300kw. Të gjithë të tjerët do të paguajnë detyrimin ose do të përballen me forcën e vullnetit tonë të palëkundur për ta vendosur shtetin në anën e ligjit, të interesave kombëtare, të interesave të shoqërisë e të çdo individi që respekton ligjin dhe paguan rregullisht energjinë që konsumon.

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)


Ndiqni Shqiptarja.com në
Facebook dhe në
Twitter