Kryeministri Edi Rama, në mbledhjen e grupit parlamentar të PS të zhvilluar mesditën e sotme, ka shprehur bindjen dhe qëndrimin e palëkundur se Partia Socialiste do të hyjë në zgjedhjet e 18 qershorit, pavarësisht vendimit që do të marrë PD, për të mos hyrë në zgjedhje.


Burime nga brenda mbledhjes së grupit bëjnë me dije se Rama ka kërkuar nga deputetët e PS angazhim maksimal për fushatën elektorale, duke dalë në terren dhe duke u takuar me çdo qytetar, pasi sipas tij në këto zgjedhje duhet rezultat më i thellë se ai i vitit 2013.


Rama e ka cilësuar të papranueshme krahasimin që i bëhet situatës politike në Shqipëria me krizën që po kalon prej muajsh Maqedonia. Ndërsa sa i përket reformës në drejtësi, kryeministri u shpreh se PS e do këtë reformë dhe do ta çojë deri në fund.


Mbledhja ka zgjatur rreth 1 orë dhe mësohet se është thirrur nga kryetari Rama sapo kreu i shtetit lajmëroi konferencën për shtyp një natë më parë.


Lidhur me konferencën e së dielës të Nishanit, mësohet se Rama ka informuar kryesinë me faktin se kandidatura e Fatmir Xhafajt gëzon mbështetje të plotë të partnerëve strategjikë të Shqipërisë.


Pa dhënë detaje, Rama ka lënë të kuptohet se presidenti i Republikës është tërhequr nga plani i rrëzimit të dekretit për ministrin e Brendshëm nën presionin e partnerëve.


Pjesa tjetër e mbledhjes është fokusuar tek organizimi elektoral dhe intensifikimi i komunikimit me zgjedhësit në çdo qark.


Kryeministri ka falenderuar ministrat e liruar, si edhe ata në detyrë, për impulsin e ri që i kanë dhënë punës së partisë gjatë javës së shkuar dhe ka kërkuar rritjen e vazhdueshme të ritmit të saj.


20 mars 2017 (gazeta-Shqip.com)