Autori i Lajmit: Redaksia
Gjatë fjalimit të tij në protestën e pasdites, kreu socialist Edi Rama u shpreh edhe një herë i vendosur për vazhdimin e grevës së urisë duke theksuar se mbi 2 mijë qytetarë janë gati ti bashkohen kauzës së opozitës për transparencën e plotë të zgjedhjeve të 28 Qershorit. “Janë mbi 2773 qytetare e qytetarë të regjistruar për të hyrë në grevë e për të mos e ndalur këtë grevë, derisa dora që mban peng demokracinë e shtetit të së drejtës, duke mbajtur peng burimin nga rrjedh procesi demokratik. Nuk ka shans që greva të përfundojë e vendi të mbetet peng i qeverisë që nuk buron nga votat e popullit, por nga një gënjeshtër e madhe”, - u shpreh kryesocialisti. Lideri i opozitës akuzoi kryeministrin Berisha për mbylljen e rrugës së zgjidhjes, ndërsa tha se kutitë mbahen të mbyllura për shkak të frikës nga e vërteta e votave të hedhura në to. “Zgjatja e kësaj greve është provë e qartë e dritëshkurtësisë së këtij pushteti, i cili, duke i mbyllur rrugën zgjidhjes, i mbyll rrugën Shqipërisë. E vërteta e kësaj greve është e thjeshtë, shqiptarët e kanë kuptuar këtë të drejtë. Votat janë vjedhur dhe mbahen mbyllur vetëm me një qëllim, që të vidhen përsëri”, - tha Rama, ndërsa siguroi se aksioni i opozitës nuk do të degjenerojë kurrë në dhunë. Rama ritheksoi se kërkesat për transparencë nuk kanë synim marrjen e pushtetit në tavolinë, por, siç tha ai, është një betejë për ti hapur rrugë përparimit të vendit. “Kjo nuk është një betejë për të përmbysur pushtetin, por për ti hapur rrugë përparimit të një vendi që ka rënë përmbys. Ne nuk jemi këtu për pushtetin, por për vendin ku jetojmë. Që jeta të bëhet më e mirë duhet që politika të bëhet më e mirë dhe që politika të bëhet më e mirë, njerëzit duhet të çlirohen nga frika dhe varfëria”, - vazhdoi më tej kryesocialisti.

Greva nuk mbyllet, po nuk u hapën kutitë

Kryetari i Partisë Socialiste konfirmoi se greva dhe protestat e opozitës nuk do të shkojnë kot.

Rama tha se plagët e shkaktuara tek 200 grevistët nuk do të shkojnë kot. “Ne jemi të vendosur për transparencë, jemi të vendosur ta çojmë deri në fund protestën tonë, grevën tonë, e cila nuk do të mbarojë pa u hapur kutitë”,- tha Rama. Ai garantoi se protesta dhe kërkesat e opozitës nuk do të bien në vesh të shurdhër, duke shtuar se kjo është një betejë për Shqipërinë evropiane për ti dhënë fund qëndrimit në pushtet të qeverive që nuk kanë marrë votat e popullit, por i kanë vjedhur ato.

Sipas tij, me këtë veprim qeveria pengon jo vetëm zgjidhjen e krizës, por edhe rrugën evropiane të Shqipërisë. "Ky pushtet, duke i mbyllur rrugën zgjidhjes së transparencës, i mbyll rrugën popullit të Shqipërisë, e cila rrënohet çdo orë",- ka pohuar Rama, duke nënvizuar se protesta e PS nuk do të degjenerojë kurrë në dhunë. "Lëvizja jonë kurrë nuk do të degjenerojë dhunë, por do të gjenerojë energjitë e një populli që lufton për rrugën drejt Evropës",- ka përfunduar fjalën e tij Rama.





Ky lajm është publikuar: 18/05/2010