Aristir Lumezi

Ligji i SHISH cenon jo vetëm interesat kombëtare, por dhe interesat e partnerëve tanë. Kështu e ka përkufizuar kryetari socialist ligjin e SHISH, të cilin Parlamenti e shtyu për seancën e ditës së hënë. "Ky është një projekt që tejkalon cakun e vendimit tonë politik. Në këtë projekt përfshihen interesa jo vetëm kombëtare, por edhe strategjike. Cenohen jo vetëm interesat e vendit, por edhe interesat e partnerëve tanë më të mëdhenj, e atyre që e morën Shqipërinë për dore dhe e futën në NATO. Të cilëve nuk ka burrë në këtë vend që të mund t'u përplasë derën, duke ju krijuar Shqipërisë dhe shqiptarëve një sherr për të cilin Shqipëria dhe shqiptarët jo vetëm që nuk janë të gatshëm, por për të cilin janë absolutisht të gatshëm të refuzojnë këdo që e provokon një sherr të tillë", u shpreh Rama. Këtë deklaratë, kryesocialisti e bëri dje gjatë bashkëbisedimit të përjavshëm me gazetarët në selinë rozë. Rama nuk ka dashur të japë një përgjigje të qartë rreth bashkimit të votave me LSI për ligjin e SHISH. "Ne nuk bashkojmë votat me askënd. Ne votojmë ashtu siç e shohim ne të arsyeshme në bazë të parimeve dhe vlerave që na bëjnë të quhemi Partia Socialiste e Shqipërisë. Pastaj se kush janë të tjerët që mbajnë të njëjtin qëndrim, ky nuk është as problemi dhe as detyrimi ynë. Sigurisht, që jemi të kënaqur që ai projekt mizerabël që cenon interesat e vendit, që cenon interesat dhe partneritetin strategjik me NATO-n, cenon po njësoj interesat e partneritetit me SHBA, mori dje përgjigjen e merituar. Të cilën do ta marrë edhe më të fortë në rast se Kryeministri do të vazhdojë kokëfortësisht të këmbëngulë, për arsye shumë të errëta për miratimin e atij projekti ogurzi jo thjesht për vendin, por edhe për marrëdhënien e vendit me NATO dhe SHBA", u shpreh Rama. Duke folur për ekonominë, të cilën e ka cilësuar si temën kryesore të bashkëbisedimit, Rama tha se vendi po kthehet si në kohën e piramidave. "E gënjen mendja Sali Berishën! E gënjen mendja këtë pushtet! Se do ta zvarrisë çështjen e krizës politike që kërkon zgjidhje duke e lënë pa zgjidhje. Dhe duke e lënë mendja e duke menduar se zgjidhja është te shtyrja sa më shumë e transparencës. Ky është i njëjti kurs si ai që çoi në ndërtimin dhe në rrënimin e piramidave financiare kur Qeveria e mbuloi papërgjegjshmërinë e saj me 1.4 miliardë dollarë nga kursimet e shqiptarëve duke u bërë i vetmi vend në botë ku piramida u bë një proces i bekuar nga Qeveria", tha Rama.