Në konferencën e përbashkët me presidentin e Këshillit Europian Donald Tusk, kryeministri Edi Rama theksoi se pret nga BE vendimin e shumëpritur, atë të çeljes së rrugës së anëtarësimit duke e konsideruar këtë si interes kombëtar.


Ndër të tjera Rama deklaroi se janë të vetëdijshëm për të gjitha sfidat dhe vështirësitë që sjell rruga europiane.


Në emër të të gjithëve pa dallim, sepse pa dalim është bindja evropiane e shqiptarëve ta falënderoj Presidentin e KE për këtë vizitë në kohën e duhur, kur Shqipëria ka marrë rekomandimin pozitiv për çeljen e negociatave për anëtarësim dhe siç ia thashë presidentit të gjithë shqiptarët presin me padurim të vazhdojnë në këtë rrugë dhe të kemi sa më parë të jetë e mundur mbështetjen e plotë të gjithë vendeve anëtare.


Nuk e shikojmë rekomandimin si pikëmbërritje, por si çeljen e një faze më të re dhe më sfiduese për anëtarësimin në BE. Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm për të gjitha sfidat dhe vështirësitë, ashtu sikundër kemi bindjen se janë të kapërcyeshme vetëm përmes këtij procesi bashkëpunimi dhe ndërveprimi që deri tani na ka sjellë në këtë pikë mes vendit tonë, Komisionit dhe vendeve anëtare.


Dua ta falënderoj presidentin se i përket asaj shkolle të besimit te Europa dhe atyre përfaqësuesve të denjë të projektit të etërve themelues të Bashkimit Evropian. I përket atij rrethi partnerësh që e kanë mbështetur vazhdimit procesin e transformimit në Shqipëri.


Dua të ritheksoj se ky proces lidhet me të ardhmen e vendit tonë dhe domosdoshmërinë për të ndërtuar Shqipërinë evropiane këtu në vendin tonë. Është një proces ku jemi përfshirë se e kërkon interesi ynë kombëtar dhe interesi i fëmijëve tanë. Folëm edhe për procesin e thellimit të bashkëpunimit rajonal, që është i lidhur me perspektivën evropiane të vendeve të rajonit. Folëm për reformën në drejtësisë dhe rezultatet e vettingut dhe ecurinë e gjithë reformave të tjera, deklaroi Rama.


24 prill 2018 (gazeta-Shqip.com)