ramaAngazhimet e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s kundër terrorizmit ka qenë në fokus të takimit të zhvilluar këtë të enjte në Tiranë mes kryeministrit Edi Rama dhe sekretarit të përgjithshëm të Aleancës, Jens Stoltenberg.


Në konferencën e përbashkët për shtyp pas takimit, kryeministri Rama ka deklaruar se, Shqipëria ka mjetet e duhura dhe është e gatshme të përballet me kërcënimin barbar që vjen nga Shteti Islamik.


Rama ka nënvizuar se, miratimi i Strategjisë Kombëtare Kundër Ekstremizmit është një hap që Shqipëria ka bërë në përpjekjet kundër së keqes.


Shefi i qeverisë e ka siguruar zotin Stoltenberg se Shqipëria do të vazhdojë të jetë pjesë e operacioneve të NATO-s për të vendosur paqen, ndërsa ka shtuar se, qeveria e ka frenuar trendin në rënie të buxhetit të mbrojtjes dhe ka mundësuar rritjen e tij për vitin 2016.


Nga ana e tij, Stoltenberg ka lavdëruar Shqipërinë për angazhimin shumë të fortë në radhët e Aleancës, për kontributin e saj për sigurinë dhe pjesëmarrjen në misionet e paqes.


Vlerësojmë rolin përforcues të Shqipërisë në Ukrainë dhe Gjeorgji dhe veçanërisht në Ballkanin perëndimor, ka thënë Stoltenberg.


Ai e ka cilësuar të një rëndësie jetike rritjen e shpenzimeve ushtarake, edhe pse është shprehur i vetëdijshëm për vështirësitë ekonomike të Shqipërisë.


Duhet të vazhdojmë të rrisim shpenzimet ushtarake. E kuptoj vështirësinë ekonomike me të cilën përballet Shqipëria, ndaj e vlerësoj angazhimin e saj për t’i rritur këto shpenzime. Ju inkurajoj të vazhdoni në këtë drejtim, ka thënë Stoltenberg.


Më tej Rama dhe Stoltenberg kanë vlerësuar rëndësinë e ftesës së anëtarësimit për Malin e Zi. Gjithashtu presim institucionalizimin e marrëdhënieve mes NATO-s dhe Kosovës. Sa më shumë të shtrihet Aleanca në këtë hapësirë, aq më të sigurt jemi të gjithë, ka vijuar Rama.


Ne ftuam Malin e Zi për t’u bërë pjesë e Aleancës, vendim që tregon angazhimin tonë për dyert e hapura. Siguria jonë po sfidohet dhe NATO po i përgjigjet duke iu përshtatur aspekteve të kësaj sigurie, ka thënë Stoltenberg./ TCH