Top Channel ka mësuar se Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka përgatitur ndryshime në ligjin e policisë që japin mundësinë e krijimit të një force elite mbi RENEA-n, por edhe që mundësojnë kalimin e ushtarakeve në Policinë e Shtetit.


Pak kohë pas marrjes së detyrës si ministër i Brendshëm Sandër Lleshaj, nxjerr në pah karakterin dhe formimin e tij ushtarak.


Top Channel ka siguruar propozimet e reja për ndryshimin e ligjit për Policinë e Shtetit ku për herë të parë për plotësimin e nevojave të veçanta mund të pranohen në radhët e policisë ushtarakë aktivë të forcave të armatosura.


Në ndryshimet që propozohen në ligj parashikohet edhe ekuivalentimi i gradave ushtarake me ato policore. Sipas propozimit në letër, një major apo kapiten me anë të një marrëveshjeje mes ministrit të Mbrojtjes dhe atij të Brendshëm dhe pasi lirohet, mund të hetojë kriminelët apo ruajë rëndin dhe sigurinë publike.


Ndryshimet në ligjin për Policinë e Shtetit, në të cilin herë pas here është ndërhyrë vitet e fundit, pritet ti kalojnë për shqyrtim këto ditë parlamentit. Sipas burimeve një ide tjetër e ministrit Lleshaj është krijimi i një strukture të ngjashme si ajo e RENEA-s për zhvillimin e operacione sekrete dhe speciale ku mund të rekrutohen ushtarakë të kualifikuar.


Ndërkohë këtë të enjte ministri Lleshaj mbodhi në një takim drejtorët e policive në qarqe në lidhje me ecurinë e punës për Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile.


6 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)